Grupi i vrasësve me pagesë, tre shqiptarë të arrestuar/ Greqi, çfarë sekuestroi policia
Teksa policia greke ende nuk ka dalë komunikim zyrtar lidhur me goditjen e një grupi kriminal shqiptaro-grek, përgjegjës për tentativën e vrasjes së mafiozit grek Jani Lala, janë zbardhur emrat e personave të dyshuar. Tre prej tyre janë arrestuar, ndërsa një shqiptar i katërt është shpallur në kërkim. Bashkë me ta janë arrestuar edhe tre shtetas grekë, përfshirë edhe një femër.
Në prangat e të ashtuquajturës “FBI” greke kanë rënë Dhimitër Meci alias Dimitrios Metsis, 45 vjec nga Labova e Poshtme e Gjirokastrës, Andrea Brokeri, 32 vjec nga Himara dhe Fatjon Prendi alias Fatjion Prendi, 39 vjeç nga Lezha, ndërsa në kërkim është shpallur Vasil Theohari, 31 vjeç nga fshati Krongj i Finiqit.
Ata akuzohen se janë të ngjarjes së ndodhur në 16 maj 2025, kur ndaj automjetit të blinduar të 41-vjecarit grek Jani Lala, u qëllua rreth 50 herë me armë zjarri, por pa mundur ta vrasin e as ta plagosin. Personi që ka shkrepur këmbëzën, dyshohet të jetë Dhimitër Meci, një person i akuzuar për dosja vrasje me pagesë në Greqi.
Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën pesë kallashnikovë, pesë pistoleta, shtatëmbëdhjetë krehëra dhe 785 fishekë, si dhe dy jelekë antiplumb e njëzet e një kapsolla. Në operacion u sekuestruan gjithashtu 31.870 euro para cash, 460 gramë kokainë dhe gjashtë gramë marijuanë.
Policia sekuestroi edhe tetëmbëdhjetë celularë, tre automjete, një automjet të vjedhur, katër motorra dhe tre skafandra. Përveç tyre, u gjetën dy shkopinj të palosshëm, një taser, dy doreza hekuri, dy peshore, një pajisje GPS, një grirës, një tablet dhe dy USB. Autoritetet morën po ashtu sende të tjera të forta, pajisje elektronike, dokumente bankare dhe shënime që dyshohet se lidhen me veprimtarinë e grupit.