“Grupi që mori dosjet e SPAK, ish-funksionarë të Burgjeve”, Dervishi zbulon komunikimet: Kërkuan të gjenin dosje për Ulsi Manjën se i hoqi nga puna, ja kur përmendet emri i Ramës
Gazetari Ferdinand Dervishi ka dhënë detaje të tjera lidhur me çështjen e ndërhyrjes në sistemet e SPAK, në studion e emisionit “Kjo Javë”, duke sqaruar kontekstin e përmendjes së emrave të zyrtarëve të lartë dhe marrëdhëniet mes personave të akuzuar.
Sipas Dervishit, tre personat që akuzohen për këtë rast kanë pasur lidhje të mëparshme me njëri-tjetrin dhe kanë qenë funksionarë pranë Drejtorisë së Burgjeve. Ai theksoi se ata ishin shkarkuar nga detyra nga Ulsi Manja, në kohën kur ky i fundit mbante postin e ministrit.
“Këta tre persona kanë pasur një lidhje midis tyre nga drejtoria e burgjeve, kanë qenë funksionarë dhe i kishte hequr nga puna Ulsi Manja”, u shpreh Dervishi.
Gazetari tha se në komunikimet mes tyre, të akuzuarit shfaqen të ekzaltuar dhe të fokusuar në gjetjen e materialeve komprometuese, veçanërisht ndaj Manjës. “Ata kujtohen të gjejmë diçka për Manjën dhe ka shumë biseda të tilla”, tha ai, duke shtuar se komunikimet tregojnë një përpjekje të dëshpëruar për hakmarrje ose presion.
Në këtë kontekst, Dervishi sqaroi edhe përmendjen e emrit të kryeministrit Edi Rama në komunikimet e tyre. Sipas tij, ekziston një mesazh ku shkruhet: “Do t’i shkruaj edhe Ramës po e gjeta këtë gjë”.
Megjithatë, ai shtoi se një deklaratë e tillë nuk përbën implikim të drejtpërdrejtë. “Të thuash ‘do i shkruaj Ramës’ nuk e implikon atë. Kështu e shoh në këtë rast”, përfundoi Dervishi.
© BalkanWeb