Guardiola, fjalim i zjarrtë pro Palestinës: Liderët e fuqishëm janë frikacakë, e kemi lënë vetëm Gazën
30 Janar 2026
10:10
Alfred Lleshi
Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, u shfaq mbrëmë në “Palau Sant Jordi”, ku mbajti një “manifest për njerëzimin” gjatë koncertit bamirës “Act X Palestine”. Trajneri katalanas, i njohur për qëndrimet e tij mbi të drejtat e njeriut, doli në skenë përpara një audience të madhe, i mbështjellë me një kefije tradicionale palestineze. Në fjalimin e tij, ai bëri thirrje për fundin e “dekadave të shtypjes” dhe dënoi heshtjen e liderëve botërorë.
Guardiola foli për pamjet tronditëse të fëmijëve në Gaza që kanë qarkulluar në rrjetet sociale gjatë dy viteve të fundit: “Unë gjithmonë them, çfarë duhet të mendojnë ata? Besoj se i kemi lënë vetëm, të braktisur… Ata duhet të thonë: Ku jeni? Ejani të na ndihmoni. Dhe deri tani, edhe sot, nuk e kemi bërë”.
Ai kritikoi ashpër fuqitë botërore, duke i quajtur udhëheqësit “frikacakë” që “dërgojnë njerëz të pafajshëm të vrasin njerëz të pafajshëm…, ndërsa vetë qëndrojnë në shtëpi me ngrohje kur është ftohtë dhe kondicioner kur është vapë. E gjitha kjo ka të bëjë thjesht me njerëzimin. Kjo është e gjitha që po ndodh në Palestinë”.