Hamilton: Do të jetë një dimër vetmie, do të hedh celularin në kosh dhe s’do të flas me askënd
10 Dhjetor 2025
12:37
Telesport
Në fund të garës së Abu Dhabi, ku ai bëri një rikthim të fortë nga vendi i gjashtëmbëdhjetë në të tetin, Lewis Hamilton foli hapur në radio dhe falënderoi ekipin pavarësisht një sezoni të vështirë të parë me Ferrari në Formula 1.
“Ka qenë një sezon i gjatë, djema. Faleminderit të gjithëve. Faleminderit për mirësinë tuaj. Jam mirënjohës për gjithë punën e palodhur. Gjithmonë do të luftoj për ju, djema. Gjithmonë. Faleminderit“, tha 7 herë kampioni i botës.
Hamilton vetë e quajti këtë “sezonin më të vështirë të karrierës së tij”. Falënderimi pas garës së fundit sezonale u shqiptua në italisht, një shenjë e dëshirës së tij për t’u afruar gjithnjë e më shumë me ekipin.
Por çfarë do të bëjë Lewis tani? Hamilton ka ide të qarta se do të mbyllë çdo komunikim përpara sezonit të ardhshëm. “Mezi pres të largohem nga e gjithë kjo, nga fotosesionet çdo javë deri te gjithçka tjetër”, tha britaniku.
“Mezi pres të mos më duhet t’i bëj të gjitha këto. Do të fle shumë, do të marr shumë përqafime nga nipërit e mbesat e mia dhe do të kaloj kohë me familjen time, duke u përqendruar në shëndetin dhe gjumin tim“, shtoi Hamilton.
Piloti i Ferrari duket më i vendosur se kurrë për t’u shkëputur nga bota moderne dhe frenetike.
“Do të shkëputem nga energjia dhe nuk do të flas me askënd. Askush nuk do të jetë në gjendje të më kontaktojë këtë dimër. Nuk do ta kem telefonin me vete. Zakonisht e mbaj me vete, por këtë herë do ta hedh në plehra“, përfundoi Hamilton.