Harry Kane me objektiv të qartë, synon të realizojë 100 gola në Bundesliga që këtë sezon
18 Dhjetor 2025
8:32
Telesport
Harry Kane ka gjetur një mënyrë për ta ngritur standardin edhe më tej. Sulmuesi anglez i Bayern Munich vendosi një rekord të ri personal me një penallti kundër Mainz në javën e 14-të të Bundesliga, një gol vendimtar që i lejoi bavarezëve të shmangnin humbjen e tyre të parë në Ligë për këtë sezon.
Nuk ishte një gol i çfarëdoshëm: Kane arriti 50 gola për Bayern vetëm në vitin kalendarik 2025. Kjo është hera e parë në karrierën e tij që kapiteni i Anglisë ka arritur këto shifra golash në nivel klubi. I fundit që e arriti këtë sukses në Mynih ishte Robert Lewandowski, i cili shënoi 58 gola në vitin 2021.
Nga 50 golat e Kane në vitin 2025, 40 kanë ardhur në Bundesligë, gjashtë në Ligën e Kampionëve, tre në Kupën e Botës për Klube dhe një në Kupën e Gjermanisë. Por cilat janë objektivat e tij: “Dua të arrij kuotën e 100 golave në Bundesliga me Bayern”, tha sulmuesi, që deri më tani ka realizuar 80 gola.
“Mundësisht që këtë sezon edhe pse e di që është e vështirë”, shtoi Harry Kane, që ka realizuar 80 gola në vetëm 77 ndeshje në kampionat. Ai është gjithashtu i pamëshirshëm nga pika e bardhë: Kane ka shndërruar në gol të gjitha 20 penalltitë e tij në Bundesligë për Bayern, një rekord i të gjitha kohërave me formë të përsosur.
Tetë ditë më parë, ai u bë gjithashtu lojtari më i shpejtë që shënoi dhjetë tregolësha në Ligën gjermane. Nëse ai e mban këtë ritëm, ish-lojtari i Tottenham pritet të kalojë 100 gola në Bundesliga para fundit të sezonit. Dhe askush në Gjermani nuk do të habitej.