Heqje e pjesshme e sanksioneve/ Bislimi: Lirohen fondet për katër projekte
schedule17:22 – 17 Dhjetor, 2025
Siç premtoj Kaja Kallas nga Prishtina, masat sanksionuese ndaj Kosovës do të hiqen, por gradualisht, gjithnjë në pritje të një sjellje politike të qëndrueshme, dhe besueshme të udhëheqjes së vendit, në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë.
Ndaj, Brukseli ka filluar heqjen e disa masave ndëshkuese, të vendosura në vitin 2023, duke liruar fondet për disa projekte, por shumë të tilla qëndrojnë akoma të bllokuara.
Lajmi është konfirmuar nga Zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës në detyrë, Besnik Bislimi, pas një letre zyrtare që ka pranuar nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman.
Sipas letrës së publikuar nga Bislimi, janë liruar mjetet financiare për katër projekte si rrjedhojë e asaj që është vlerësuar si “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri”, pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë eurosh.
Por Bashkimi Evropian, nuk do t’i heqë këtë vit të gjithë sanksionet ndaj Kosovës.
Të martën, ministrat e BE-së përmes konkluzave të presidencës daneze përshëndetën heqjen e një pjese të masave, por shpejtësia dhe modaliteti i heqjes së tyre tani varen nga Komisioni Evropian, por nuk ka më asgjë gjasë që ato të hiqen të plota brenda 2025, dhe aq më pak para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.