“I ati ndërroi jetë në të njëjtën mënyrë, fliste shpesh për të”, kompozitori Myftaraj rrëfen miqësinë me Shpat Kasapin: Nuk ankohej për shëndetin
Kompozitori dhe producenti Gent Myftaraj ka ndarë emocionet dhe dhimbjen e tij pas ndarjes së papritur nga jeta të këngëtarit dhe mikut të tij të afërt, Shpat Kasapi, i cili u shua një ditë më parë në moshën 40-vjeçare pas një ataku kardiak.
I ftuar në studion e News24, Myftaraj rrëfeu kujtime të forta dhe momente të veçanta nga miqësia dhe bashkëpunimi i tyre shumëvjeçar.
“Shpati u ka dhënë shqiptarëve buzëqeshje në dasma e koncerte me muzikën e tij. Dje, sapo hapja rrjetet sociale, pashë vetëm dashuri për të. Të gjithë kishin një foto me Shpatin. Ai duhet ta shikonte vetë këtë dashuri,” u shpreh Myftaraj. Ai vuri në dukje se këngëtari njihej jo vetëm për hitet e tij, por edhe për thjeshtësinë dhe sjelljet e tij prej njeriu të mirë.
Kompozitori kujtoi edhe fillimet e bashkëpunimit të tyre: “Bashkëpunimi im i parë me Shpatin ishte në Festivalin e Këngës, të dy ishim për herë të parë. Ai e bëri hit këngën time dhe më hapi një dritare të madhe në botën e artistëve. Disa artistë e shikonin me skepticizëm për shkak të stilit të tij të gëzuar, por Shpati këndoi më mirë se 80% e këngëtarëve që ishin aty.”
Myftaraj foli edhe për marrëdhënien e veçantë të Shpatit me nënën e tij, që e shoqëronte kudo: “Nëna e tij është një shembull krenarie për shqiptarët e Maqedonisë. Më vjen shumë keq për të. Ai e kishte gjithmonë pranë.”
Ai rrëfeu se lajmin tragjik e mori teksa ishte në gjumë, nga bashkëshortja që e zgjoi e tronditur. “Më pyesnin nëse ishte e vërtetë. Të shtunën kisha folur me të për një spektakël. Ishte i qetë, flisnim për dietën, për sheqerin që donte ta hiqte. Nuk pati asnjë ankesë shëndetësore.”
Myftaraj tregoi se Shpati e kishte humbur të atin nga i njëjti problem shëndetësor dhe se kjo e kishte ndjekur gjatë gjithë jetës: “I ati i atij ka ndërruar jetë nga e njëjta gjë. Shpati ishte djalë i shëndetshëm, por ndoshta mbante gjëra brenda vetes. Kishte një buzëqeshje të madhe, por mund të ketë pasur shqetësime që nuk i shprehte.”
Në fund, kompozitori përmendi edhe kujdesin e veçantë që bashkëshortja e Shpatit kishte për të: “Ajo e merrte gjithmonë në telefon, kujdesej për të.”
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb