I vodhi çantën me një shumë parash një gruaje në rrugë, arrestohet ‘skifteri’ në Elbasan
Arrestohet një 52-vjeçar në Elbasan, pasi akuzohet për vjedhje.
Pas hekruave ra shtetasi me inicialet G. F., i cili akuzohet se i vodhi me dhunë çantën me një shumë parash, një 66-vjeçareje, në rrugë.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor i koduar “Identifikimi”. I vodhi me dhunë çantën me një shumë parash, një 66-vjeçareje, në rrugë, Policia identifikon, kap dhe vë në pranga 52-vjeçarin.
Gjendet në banesën e 52-vjeçarit dhe sekuestrohet çanta. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, dje, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Visarion Xhuvani”, një shtetaseje i kishin vjedhur me dhunë çantën e dorës, kanë organizuar punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Identifikimi”, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, shtetasit:
-G. F., 52 vjeç, banues në Elbasan. Nga këqyrja e pamjeve filmike dhe nga hetimet dyshohet se ky shtetas, dje, rreth orës 09:00, në lagjen “Visarion Xhuvani”, në rrugë, i ka vjedhur me dhunë shtetases F. S., 66 vjeçe, banuese në Elbasan, çantën e dorës, në të cilën ajo kishte një shumë parash, celularin dhe disa dokumente. Si pasojë, 66-vjeçarja është dëmtuar lehtë në krah.
Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, u gjet çanta e vjedhur, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që dyshohet se mund të ketë kryer shtetasi G. F..Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
© BalkanWeb