Ibrahimovic rrëfehet në 360 gradë: Një herë e bëra në brekë, mbi pistën e vrapimit
17 Janar 2026
7:49
Alfred Lleshi
Zlatan Ibrahimovic, këshilltar strategjik i “RedBird”, pronarit të Milanit, ka dhënë së fundmi një intervistë të gjatë për “(Ne)uspjeh prvaka”, duke shpjeguar se si ndihet sot: “Gjithçka që kam përjetuar si lojtar më ka formuar edhe si njeri. Gjithçka që kam mësuar, ajo që kisha rreth vetes, mentaliteti, njerëzit që më rrethonin, më kanë bërë atë që jam sot. Vazhdoj përpara me atë mentalitet, me atë disiplinë. Gjithçka është rezultat i asaj që isha si lojtar dhe i objektivave që kam pasur gjithmonë. Kam kërkuar gjithmonë mentalitetin fitues.
Nuk është se nuk di të humbas, kam humbur dhe do të humbas përsëri, por nuk është në natyrën time. Duhet të fitoj, dua të fitoj dhe di si fitohet. Ky jam unë. Nuk mund t’i bëj gjërat si një person normal, përpiqem të jem gjithmonë në maksimum, nuk kënaqem me më pak, nuk e kam këtë brenda vetes. Dua të jem ndryshe nga të tjerët dhe atëherë jam më i miri. Kështu e shoh, kjo vlen për gjithçka”.
A nuk do të bëheshe kurrë trajner?
Jo. Nëse ke qenë lojtar i nivelit të lartë, nuk është e njëjta gjë… Të stërvitësh është një botë tjetër, të ndihmon pak, por shumë gabojnë. Mendojnë se, meqë kanë qenë lojtarë të mëdhenj, do të jenë trajnerë të mëdhenj. Unë vuaj sepse nuk mund të luaj më, të ndihmoj shokët e skuadrës, të ndikoj, të luaj dhe të fitoj. Ndihesha i gjallë, hyja në fushë dhe dikush duhej të fitonte. Për mua humbja ishte e vështirë, por nuk jemi superheronj. Nëse nuk fitoja, ishte sikur të mos isha gjallë. Pjesa më e vështirë e punës sime është të mos mund të ndihmoj lojtarët, trajnerët, tifozët, klubin.
Po mësoj ta bëj këtë në një mënyrë tjetër, por është e vështirë sepse kam jetuar atë adrenalinë për 25 vite. Po përmirësohem, por nëse një lojtar dëshiron të bëhet trajner, duhet të mësojë dhe ta nisë nga zero. Problemi është se nuk e bëjnë, sjellin egon dhe nisin menjëherë nga niveli maksimal. Ky është gabimi më i madh që mund të bëhet. Nëse nis nga poshtë, pasojat nuk janë të njëjta si kur nis nga lart. Kush të kërkon më pas, shikon rezultatet e tua. Nga gabimet mëson, duhet të gabosh. Unë do ta nisja me fëmijët. Nëse ke emër, të zgjedhin profesionistët, por pastaj gabon dhe prej andej gjithçka bëhet e vështirë. Sot, në klubet e mëdha nuk duhet të bësh shumë.
Shumë e shohin futbollin si shkencë, por mjafton të vendosësh 11 burra, të hysh në kokën e tyre, t’i motivosh. Në klubet më të vogla duhet të punohet më shumë, por sot shumë kërkojnë ta ndryshojnë futbollin, të jenë protagonistë. Aktorët kryesorë janë lojtarët; disa trajnerë mendojnë shumë, sikur gjithçka të ishte e programuar. Trajneri përmirësohet me përvojë; karriera e tij nuk është si ajo e një lojtari, ka stres, momente katastrofe, por është përvoja ajo që tregon sa inteligjent je dhe sa shumë. Të gjithë duan ta shpikin futbollin.
Si do ta krahasonit veten si futbollist dhe si drejtues?
Jam i njëjti, vetëm se tani e shoh futbollin nga një këndvështrim tjetër. Më parë nuk kisha përgjigje, tani e kuptoj pse disa gjëra nuk mund të bëheshin. Duhet parë gjithçka në tërësi, jemi një kompani. Për të sjellë lojtarë duhen ekuilibër, sponsorë, televizione, tifozë, shitje të të drejtave… Të gjitha këto po i mësoj tani dhe jam më i përulur. Nuk jam ofensiv, vëzhgoj. Pastaj, kur flitet për futbollin, jam më i drejtpërdrejtë, e di për çfarë flas. Futbollisti dhe trajneri janë dy botë të ndryshme.
Çfarë mendoni për futbollin e sotëm?
Kam luajtur futboll. Kush ka luajtur e di se edhe 50 vite më parë mund të bëhej si sot, thjesht tani është më i shpejtë dhe futbollistët janë atletë. Kanë ndryshuar taktikat, por jo mënyra. Lojtari ka cilësi, trajneri duhet të ndërtojë grupin. Tani jam i duruar; më parë askush nuk mund të më ndalonte dhe të më pengonte të ecja përpara, ishte gjithçka dhe menjëherë. Nëse duhej të shkoja me kokë ulur kundër një muri, shkoja.
Na shpjegoni çfarë ndryshon mes jush dhe fëmijëve tuaj?
Kam më shumë para nga sa kishin prindërit e mi. Paratë sigurisht i bëjnë gjërat më të lehta, por nuk të sjellin lumturinë. Unë iu mësoj disiplinën, respektin dhe pavarësinë. Fëmijët e mi nuk patën telefon deri në moshën 13 vjeç; deri sot nuk kanë Instagram. Më i madhi mendon vetëm për futboll, tjetri jo. Deri në 14 vjeç, asgjë. Kemi jetuar në ‘Beverly Hills’, të gjithë kishin shofer, unë i dërgoja me dy biçikleta. Një ditë ishte qesharake, binte shi dhe iu thashë: Shkoni prapë me biçikletë. Kam qenë i ashpër, i rreptë, i fortë, por për të mirën e tyre. Kam qenë shumë mbrojtës, ndoshta i kam izoluar tepër, por jam person i njohur, doja të shmangia që të ndodhte diçka.
Na tregoni diçka që nuk e dimë…
Duhej të përfundoja një stërvitje në ‘tapis-roulant’ (pistë vrapimi) pasi isha dëmtuar në gjunjë. 6 herë nga 2 minuta vrap i shpejtë me 3 sekonda pushim. Isha drejt fundit, më duhej të shkoja në tualet, por nuk mund të ndalesha. Vrapo, vrapo, e bëra në brekë, por vazhdova të vrapoja. E kisha fiksuar në kokë që duhej ta mbaroja. Nëse vjedh, vjedh veten time. Humb unë, jo ti.
Çfarë nuk ju pëlqen të shihni sot?
Gjëja më e keqe te Milani është kur shoh që akademikët i trajtojnë ndryshe disa djem. Janë të gjithë të barabartë; njëri mund të jetë më i mirë, por të gjithë duhet të kenë të njëjtat mundësi. Te PSG duhej të hyja në fushë me një fëmijë; erdhi një burrë dhe më tha të shkoja me një tjetër, sepse ishte më i rëndësishëm. I thashë jo, sepse të gjithë jemi të barabartë. Kjo është në kokën time, pastaj varet nga ty.