Incidenti i pazakontë! Fikën ngrohjen dhe ikën me pushime, apartamenti ‘pushtohet’ nga akulli (VIDEO)
Një apartament në Quebec, Kanada, u gjet i mbuluar me një shtresë të trashë akulli në fillim të janarit, pasi qiramarrësit e kishin fikur plotësisht ngrohjen gjatë pushimeve, duke shkaktuar shpërthimin e tubave për shkak të temperaturave ekstremisht të ulëta.
Pronari i pallatit, Jacques Nolt, tha se muret, tavani, mobiljet dhe pajisjet elektrike ishin të mbuluara nga akulli, ndërsa në dysheme formohej një shtresë prej rreth 30 centimetra akulli. Ai vlerësoi se dëmi i shkaktuar i kishte kushtuar dhjetëra mijëra dollarë.
“Çdo gjë është e shtrenjtë dhe njerëzit kërkojnë të kursejnë para, por fikja e plotë e ngrohjes nuk është zgjidhje,” tha Nolt për mediat lokale, duke paralajmëruar për rreziqet e kësaj praktike. Përveç dëmit material, uji i ngrirë ka depërtuar në mure dhe tavane, duke rritur rrezikun e mykut, ndërsa apartamenti do të çmontohet, thahet dhe rindërtohet plotësisht me mbulimin e kompanisë së sigurimeve.
Qiramarrësit u larguan nga apartamenti më 5 janar, ndërsa mbetet e paqartë nëse pronari do të ndjekë veprime ligjore për të kompensuar një pjesë të kostove. Ekspertët këshillojnë që në dimrat ekstremë, ulja e temperaturës është një opsion më i sigurt sesa fikja e plotë e ngrohjes, pasi kursimet e tilla mund të rezultojnë shtrenjtë dhe të rrezikshme.
© BalkanWeb