Inter, titulli i dimrit është i yti. Ja statistika që e bën Chivu të ëndërrojë
17 Janar 2026
8:17
Alfred Lleshi
Me fitoren ndaj Lecce, skuadra zikaltër ka fituar titullin simbolik, por shpesh domethënës, të kampionit të dimrit 2025/26. Të jesh i pari në gjysmën e kampionatit nuk është vetëm nder, por edhe një avantazh real statistikor drejt “scudetto”.
Historia e Serie A me 20 skuadra (nga 2004/05 deri sot) është e qartë: duke përjashtuar sezonet e “Calciopolit”, në 15 nga 19 raste, skuadra që kryesoi në dimër, festoi titullin në maj. Në tri vitet e fundit, me dy sukseset e Napolit dhe mes tyre yllin e dytë zikaltër, u rikthye një prirje që më 2020-21 (Milani i pari në dimër, tituli shkoi tek Interi) dhe 2021-22 (e kundërta) dukej se ishte përmbysur.
Duke e zgjeruar historinë e kampionatit italian: 63 herë nga 93, kampioni i dimrit u konfirmua kampion në fund. Shpresat për Juventusin dhe Romën duken të pakta. Në 21 sezonet e fundit, vetëm më 2002-03, një skuadër që mbylli fazën e parë poshtë vendit të dytë (Juventusi i Lippit) e fitoi titullin.