Investigimi/ Shqipëria, i vetmi vend ku vidhet autori. Artistët flasin për Vetting: Na merret krijimtaria dhe s’kemi asnjë fije fitimi!
Emisioni investigativ Vetting, News24
Në fillim të shtatorit 2025, startup-i i inteligjencës artificiale “Anthropic” do të pranonte të paguante 1.5 miliardë dollarë për padinë për pirateri librash. Ndaj kompanisë së inteligjencës artificiale ishte ngritur një padi kolektive nga autorë librash, të cilët e akuzonin kompaninë se u kishte përdorur kopje të piratuara të veprave të tyre për të trajnuar sistemet e tyre.
Marrëveshja historike, për të cilën Gjykata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dhënë një miratim paraprak që shuma tu paguhet autorëve, mund të shënojë një pikë kthese në betejat ligjore mes kompanive të AI-së dhe shkrimtarëve, artistëve vizualë dhe profesionistëve të tjerë krijues. Në këtë rast, kompania ka pranuar t’u paguajë autorëve rreth 3 mijë dollarë për secilin nga rreth 500 mijë librat e përfshirë në marrëveshje.
Por teksa në SHBA lëvizin miliarda dollarë për abuzimet me të drejtat e autorit, në Shqipëri nëpër koncerte, bare dhe televizione vendosen në mënyrë të paligjshme veprat e artistëve pambarimisht dhe janë po artistët, që në fund marrin vetëm 10 mijë lekë ose 100 euro në vit nga Agjencitë e Administrimit Kolektiv.
“Në Shqipëri luajmë nëpër skena, në teatër, në festivale dhe jemi të pranishëm në televizion. Publiku na do sepse i përkasim këtij vendi ndërkohë që ligji nuk na do, ne jemi të pambrojtur nga ligji. Ekziston Albautori, ekzistojnë ligjet por unë nuk kam asnjë fije fitimi nga transmetimet e pjesëve të mia, orkestracioneve të mia, të cilat bëhen në mediat shqiptare. Pra, kjo gjë është më të vërtet preokopuese”, u shpreh për “Vetting” kompozitori Markelian Kapidani.
Në redaksinë e emisionit “Vetting” ka ardhur denoncimi nga një grup artistësh, këngëtarësh, kompozitorësh dhe dirigjentësh për faktin se nuk po u paguhet e drejta e autorit. Ata kanë denoncuar subjektet që përdorin veprat e tyre si rastin me koncertet, baret, lokalet, televizionet dhe një ndër shqetësimet kryesore ishin dhe Agjencitë e Administrimit Kolektiv.
Sipas kompozitorit Gjergj Leka, institucionet publike dhe agjencitë që merren me të drejtën e autorit kanë përfituar pamasë nga kjo situatë.
“Shumë herë na thonë duke u justifikuar që kemi pak para, nuk kemi paguar agjencitë e tjera të na i shpërndanin ne e shumë e shumë, nga këto kantilena që kam vite që i dëgjoj. Pastaj kur konkretisht kemi hulumtuar, gjërat na kanë dalë ndryshe”, shprehet i zhgënjyer kompozitori Leka.
Natyrisht problemi nuk është vetëm te agjencitë pasi vetë agjencitë duhet të kenë të ardhura që të shpërndajnë, por edhe te ligji, konkretisht te zbatimi i ligjit për të Drejtën e Autorit.
Sipas ekspertës të së drejtës së autorit Mirlinda Çollaku, ky ligj nuk po zbatohet në vendin tonë.
“Produkti është që autorët dhe artistët janë ndër më të varfërit në Europë, përfitojnë jashtëzakonisht shumë pak pagesa për shkak se këtu të ardhurat nuk mblidhen dhe sepse pse ky ligji i pazbatueshëm. Këtu sigurisht përgjegjësinë e kanë institucionet shtetërore që kanë për detyrë ta monitorojnë këtë treg, gjë të cilën nuk e bëjnë”, tha për “Vetting” ekspertja Çollaku.
E drejta e autorit është po aq e rëndësishme sa kapitujt e tjerë që Shqipëria duhet të plotësojë për integrimin në Bashkimin Europian, pasi ka kapitullin nr.7 totalisht të dedikuar për këtë çështje.
Në një nga nenet më të rëndësishme në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut shkruhet se “gjithkush ka të drejtë të mbrojë interesat morale dhe materiale që rrjedhin nga çdo krijimtari artistike, shkencore dhe letrare, autor i të cilave është ai vetë”.
Shqipëria ka shumë probleme në mbrojtjen e së drejtës së autorit dhe një problematikë të theksuar me institucionet që duhet ti mbrojnë dhe organizatat jofitimprurëse ose ndryshe agjencitë e administrimit kolektiv për të drejtat e autorit. Këto të fundit kanë qenë në qendër të vëmendjes për shkak të denoncimeve të shumta që kanë bërë këngëtarët dhe kompozitorët që janë të zhgënjyer nga të ardhurat që kanë marrë.
“E drejta e autorit nuk është thjesht para, është respekt, është dinjitet dhe shpërndarja e këtyre parave nga AlbAutori është ofenduese”, shprehet i indinjuar kompozitori Gjergj Leka.
Nga deklaratat e autorëve kupton se problemi shtrihet në disa fusha duke filluar me zbatimin e ligjit të Për të Drejtën e Autorit, problemet nga Drejtoria e së Drejtës së Autorit në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si edhe mungesa e transparencës nga agjencitë e administrimit kolektiv.
Shqipëria pa strategji kombëtare për të drejtën e autorit
Disa vite pas krijimit të ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit në 2016, Shqipëria do të gjendej pa një strategji kombëtare për mbrojtjen e së drejtës së autorit. Konkretisht në periudhën 2019-2022 vendi ynë nuk do të kishte një strategji veprimi për të zbatuar këtë ligj dhe për të siguruar të ardhurat për autorët që kanë një krijimtari artistike, e cila është e kërkuar nga publiku.
Institucioni që ka rolin kryesor në këtë drejtim është Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila vepron nëpërmjet Drejtorisë të së Drejtës së Autorit. Një institucion tjetër i rëndësishëm është Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Intelektuale, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e cila në fushën e vet të përgjegjësisë ka Pronësinë Industriale dhe mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale.
Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit shkruhet se në mungesë të një strategjie të dedikuar për të drejtën e autorit, si dhe mosparashikimin e saj në Strategjinë Kombëtare për Kulturën 2019-2025, mungon vizioni nga Ministria e Kulturës për të drejtën e autorit pasi nuk ka realizuar objektivatë në këtë drejtim.
Por pyetja e rëndësishmë që ngrihet është:
Sa janë të ardhurat që mund të sigurohen në këtë drejtim nga qeveria shqiptare dhe agjencitë e administrimit kolektiv?
Sipas ekspertës së të drejtës së autorit, Mirlinda Çollaku, nëse do të zbatohej ligji, do të kishim shumë të ardhura për agjencitë dhe për artistët.
“Në një studim modest që unë kam bërë në bashkëpunim me Komisionin Europian para disa viteve, ku na është kërkuar të bëjmë një vlerësim se sa është potencialisht ky tregu i agjencive dhe administrimit kolektiv, rezultati ka qenë një shifër e përllogaritur midis 30 -50 milionë euro. Ky studim ka qenë vetëm për tregun e muzikës dhe të filmit, të ardhura këto që do të duhet të grumbulloheshin nëpërmjet mekanizmave të administrimit kolektiv dhe t’i shkonin në fundore, artistëve, autorëve dhe krijuesve në këtë vend” tha ekspertja Çollaku.
Ka një listë subjektesh që duhet të paguajnë të ardhura për të drejtat e autorit, të cilat do ti jepnin një perspektivë tjetër krijimtarisë artistike.
“Sipas INSTAT-it, sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe sipas tatimeve, përllogaritet që subjektet përdoruese që e kanë detyrim, bazuar në këtë ligj, që konsiderohen subjekte përdoruese të drejtës së autorit, janë diku te 30 mijë. Këtu hyjnë radiot, televizionet, që janë kryesoret, bare, restorante, hotele, klube dhe çdo subjekt tjetër tregtar, i cili e përdor në sfond në një mënyrë apo në një tjetër, muzikën apo veprat e përdorura nga e drejta e autorit”, u shpreh avokatja Mirlinda Çollaku.
Sipas informacioneve të siguruara nga “Vetting”, nga këto 30 mijë janë rreth 100 subjekte që e paguajnë në vit këtë detyrim, pra një shifër relativisht e ulët. Kjo ndodh për shumë arsye, por peshën kryesore e ka Ministria e Kulturës, Drejtoria e së Drejtës së Autorit, e cila ka inspektorë të cilët kryejnë monitorimin në terren. Mesa duket institucionet shqiptare nuk e kanë marrë seriozisht këtë ligj për ta zbatuar pasi Drejtoria e së Drejtës së Autorit me 10 inspektorë raporton se inspekton diku te rreth 300 subjekte në vit, që sipas llogarive i bie tre inspektime në muaj.
“Në një ditë, në tetë orë punë, një inspektor minimalisht mund të bëjë tetë inspektime të tilla. Po si justifikohet që një inspektor bën tre të tilla në muaj? Si justifikohet pagesa e këtij inspektoriati të tërë në Ministrinë e Ekonomisë, ku praktikisht ata njerëz rezulton, qëndrojnë nëpër zyra dhe nuk bëjnë asnjë punë. Produkti është që masivisht ky ligj nuk po zbatohet në territor. Produkti është që, autorët dhe artistët janë ndër më të varfërit në Evropë, përfitojnë jashtëzakonisht shumë pak pagesa për shkak se këtu të ardhurat nuk mblidhen dhe sepse pse ky ligji i pazbatueshëm, këtu sigurisht përgjegjësinë e kanë institucionet shtetërore që kanë për detyrë ta monitorojnë këtë treg, të cilët nuk e bëjnë”, tha ekspertja Çollaku.
Gjetjet nga ekspertja dhe analizat e “Vetting” konfirmohen edhe nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, që thekson se Drejtoria e së Drejtës së Autorit është një institucion me mangësitë të theksuara. Auditimi ka zbuluar boshllëqe në strukturë, mungesë të protokolleve të standardizuara për inspektimet dhe monitorimet, si dhe mungesë të dokumenteve të rëndësishme strategjike.
Në komunikimin që gazetari i “Vetting” pati me drejtorin e përgjithshëm të Albautor, konkretisht z. Erion Muka, ky i fundit kishte rezerva për punën e institucioneve shtetërore.
“Unë jam në dijeni që ne jemi vendi me pagesat më të ulëta në rajon, për shpërblimin e të drejtës autorit. Dhe kur them më të ulta, shumë herë, dhjetëra herë më të ulëta se sa Mali i Zi, Serbia apo Maqedonia apo rajoni. Tani, apo Kroacia. Problematikat kryesore janë, paguesit më të mëdhenj të drejtës së autorit janë televizionet, të cilët nuk paguajnë apo paguajnë vlera qeshrake, që janë totalisht të papërfillshme. Por, përveç kësaj ka një problem që nuk funksionon një zinxhir institucionesh, për të cilat ne i kemi, pyetja juaj pse s’i denonconi? Patjetër, janë denoncuar prej vitesh. Dhe unë sapo kam ardhur, kam bërë dhe unë denoncimet e mia që janë një, AMA në momentin kur në ligjin e vet organik, që secili subjekt, i cili do të licensohet për transmetim, si transmetues apo si ritransmetues apo dhe të rilicensohet, duhet që të ketë, duhet të ketë patjetër autorizimin për përdorimin e veprave të mbrojtura”, tha për “Vetting” Drejtori Muka.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb