Investimet e huaja, rekord/ BSH: Për 9-mujorin flukset arritën në 1.2 miliardë euro
schedule14:07 – 15 Dhjetor, 2025
Shqipëria ka thithur më shumë investime gjatë këtij viti. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në periudhën janar-shtator totali i investimeve të huaja direkte arriti mbi 1.2miliardë euro, duke u rritur me 4.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë nëse vërejmë të dhënat për periudhën korrik-shtator rritja është edhe më e fortë. Investimet e huaja direkte arritën në 449 milionë euro, me një rritje prej 10.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Niveli i investimeve të huaja gjatë këtij tremujori shënoi një përshpejtim të ndjeshëm duke e pozicionuar 2025-ën si një ndër vitet më të suksesshme t për thithjen e kapitalit të huaj.
Përqëndrimi kryesor është në blerjen e pasurive të paluajtshme. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e tretë 2025 flukset hyrëse ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme 31%, ndërmjetësim financiar 16%, hidrokarbure 6%, energjetikë dhe komunikacion. Vetëm për blerjen e pronave janë investuar 392 milionë ose 123 milionë më tepër se një vit më parë ndërsa për agjentët imobiliarë Shqipëria është ende një treg me interes për të huajt.
Po ashtu edhe emigrantët që jetojnë e punojnë në vendet e Bashkimit Europian kanë sjellë më shumë të ardhura në ekonominë shqiptare. Sipas Bankës së Shqipërisë në 9 muaj emigrantët sollën pranë familjeve të tyre rreth 817 milionë euro.
Prurjet valutore të emigrantëve arritën në 285 milionë euro, duke shënuar një zgjerim prej 8% në tremujorin e tretë. Gjatë periudhës u evidentua rritje si në dërgesat përmes kanaleve formale (bankat), ashtu edhe në prurjet në cash, duke reflektuar besim të qëndrueshëm të emigrantëve në ekonominë vendase./abcnews.al