Inzaghi, jetë ëndrrash në Riad: “Këtu është parajsë”. Tani planifikon takimin me Interin
18 Dhjetor 2025
10:07
Alfred Lleshi
Simone Inzaghi nuk pendohet aspak që la Interin për Arabinë Saudite. Trajneri piacentin shijon jetën e re tek Al Hilal, duke e përkufizuar pa ekuivoke si “një parajsë”. Kjo javë ka shije të veçantë, sepse Interi ndodhet në Riad për Superkupën, shumë pranë selisë së klubit arab, çka e bën të mundshëm një takim simbolik.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, Inzaghi ka hedhur hapin e parë duke kontaktuar drejtuesit zikaltër për të përshëndetur miqtë e vjetër dhe mbyllur një kapitull pas muajsh heshtjeje. Interi është i akomoduar në “Four Seasons” brenda “Kingdom Center”, rreth 20 km larg. Kushtet për një takim ekzistojnë (Al Hilal nuk luan deri më 22 dhjetor), por ai pritet në një vend neutral.
Ndërkohë, Inzaghi shijon një të tashme faraonike: 25 milionë euro neto në vit, jetë luksoze me familjen dhe stafin, 13 fitore radhazi dhe vendi i parë në grupin e Champions-it aziatik, si edhe ndjekja e Al Nassr të Cristiano Ronaldos në “Saudi Pro League”. “Këtu është parajsë, jam si zot. Askush s’do të ikë. Kam fituar 13 ndeshje rresht, s’po relaksohem”, – thotë trajneri.