Irani dhe SHBA dakordësohen për raundin e dytë të bisedimeve, por ministri iranian nuk tërhiqet: Nëse Amerika na sulmon, do të kundërpërgjigjemi te…
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, njoftoi për Al Jazeera Arabic se Teherani dhe Uashingtoni kanë rënë dakord të zhvillojnë një raund të dytë bisedimesh bërthamore, megjithëse ende nuk është caktuar një datë specifike. Ai theksoi se të dyja palët besojnë se bisedimet duhet të zhvillohen “së shpejti”, duke lënë të hapur mundësinë e një rifillimi të menjëhershëm të kontakteve diplomatike.
Në lidhje me mundësinë e një konflikti ushtarak me SHBA, Araghchi pranoi se një rrezik i tillë ekziston gjithmonë, por shtoi se Irani është i gatshëm si për një zgjidhje paqësore, ashtu edhe për skenarë ushtarakë. Ai u përqendrua tek garancitë për vendet e rajonit, duke theksuar se, në rast të një sulmi, forcat iraniane do të synojnë vetëm bazat amerikane në rajon dhe jo vendet fqinje.
“Ne nuk do të sulmojmë vendet fqinje, ne do të synojmë bazat amerikane të vendosura në to. Ka një ndryshim të madh midis të dyjave,” tha ministri iranian.
Araghchi nënvizoi gjithashtu se bisedimet me SHBA do të fokusohen vetëm tek çështja bërthamore dhe nuk do të përfshijnë asnjë temë tjetër: “Çdo dialog kërkon përmbajtje nga kërcënimet dhe presioni. Teherani diskuton vetëm çështjen e tij bërthamore… Ne nuk diskutojmë asnjë çështje tjetër me Shtetet e Bashkuara.”.
© BalkanWeb