Ivi Kaso: PD kërkon transparencë për projektin e 20 qendrave të pritjes së emigrantëve, Rama s’mund të përmirësojë imazhin e tij me koston e shqiptarëve
Deklarata e deputetit të PD, Ivi Kaso:
Pas ngritjes së dy qendrave të emigrantëve në Lezhë, Edi Rama, Shpopulluesi i Madh, ka vendosur ta shtrijë këtë projekt apatrid edhe në jug të vendit. Projekti i turpshëm, veç zakonit hileqar të Ramës për t’i thënë ‘po’, si vasal, çdo kërkese të huaj, është edhe përpjekje për të ripopulluar Shqipërinë e boshatisur nga qeverisja e tij me kombësi të tjera që vijnë nga traumat e tyre.
Ky plan anti-kombëtar do të zgjerohet me 20 qendra në Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, me një kapacitet deri në 8 mijë persona.
Ky projekt është bërë në ilegalitet të plotë, siç bëri edhe me ‘rastin Meloni’, siç bënin qelizat komuniste dje dhe ato patronazhiste sot, duke vënë në dispozicion territore dhe ndërtesa publike.
Në qarkun e Korçës janë parashikuar 10 qendra akomodimi në Bilisht (në një sipërfaqe prej 11.500 m²), Kolonjë, Maliq, Pogradec dhe Pustec.
Në qarkun e Vlorës, qendrat do të ngrihen në qytet, në konvikte, në pallatin e sportit ‘Flamurtari’, në shkollën e Marinës dhe në Novoselë, duke prekur edhe Himarën, Delvinën dhe Konispolin.
Në bashkinë Gjirokastër do të përdoret zona e qytetit ku kanë qenë Rezervat e Shtetit.
Në një kohë kur fermerët e Korçës, Devollit dhe Maliqit vuajnë mungesën e financimeve dhe pasojat e përmbytjeve, Edi Rama planifikon të shpenzojë 7 deri në 10 milionë euro për ngritjen e qendrave të pritjes së emigrantëve nga vende të treta.
Ai duhet të shpjegojë publikisht pse duhen qendra pritjeje në zona turistike si Vlora dhe Himara, të paprekura nga flukset e emigracionit.
Ky vendim vjen kur Rama është zhytur në korrupsion dhe hajdutëri, dhe nuk është gjë tjetër veçse një pazar personal për të ruajtur mbështetjen ndërkombëtare që po e humbet pas demaskimit nga opozita dhe mediat e huaja.
Shqipëria nuk është çiflig i Edi Ramës, që e vendoset në dispozicion të të huajve territorin e saj.
Krizat qeverisëse, drama e shpopullimit, imazhi prej narkomani dhe narko-kryeministri që po përhap shtypi ndërkombëtar, nuk përmirësohen me makijazhe si humanist dhe globalist.
Partia Demokratike nuk është kundër të huajve, të cilët vijnë nga zona të rrezikuara, por Shqipëria nuk ka kapacitete për të përballuar valë të tilla emigracioni të injektuar dhe kontrolluar.
Për më shumë, Shqipëria nuk e mban dot barrën e rëndë të ksenofobisë që mund të sjellin aksionet e Ramës, i cili, për të përmirësuar imazhin e vet do të dëmtojë vendin dhe të ardhmen e shqiptarëve.