Izraeli pretendon se ka eleminuar dy anëtarë të Hezbollahut në Liban
Ushtria izraelite njoftoi sot se dje eliminoi dy anëtarë të Hezbollahut, organizatës shiite pro-iraniane, gjatë sulmeve ajrore në jug të Libanit, edhe pse zyrtarisht është në fuqi një armëpushim.
“Në sulmet e së martës, ushtria izraelite goditi dhe neutralizoi dy terroristë të Hezbollahut në zonat Bin Xhbeil dhe Blida”, thuhet në deklaratën e ushtrisë.
Sipas izraelitëve, i eliminuari në Bin Xhbeil merrte pjesë në rindërtimin ushtarak të Hezbollahut, ndërsa ai në Blida mblidhte informacione për forcat izraelite.
Kjo deklaratë vjen vetëm një ditë pasi një sulm izraelit në kampin palestinez të refugjatëve Ain al-Hilëeh, në Sidon, u mori jetën të paktën 13 personave, sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze.
Izraeli pretendon se goditi një qendër stërvitore të Hamasit në kamp. Hamasi i mohon kategorikisht këto akuza dhe thotë se nuk ka baza ushtarake në kampet libaneze.
Ushtria izraelite kishte njoftuar gjithashtu vrasjen e një tjetër anëtari të Hezbollahut në zonën al-Mansuri, po në jug të Libanit.
Sulmet izraelite në Liban vazhdojnë pavarësisht armëpushimit të nëntorit 2024, i cili duhej të ndalte mbi një vit konflikt, përfshirë dy muaj luftë të hapur me Hezbollahun, aleatin e Hamasit. Ndërkohë në Gaza, lufta mes Izraelit dhe Hamasit u ndërpre me një armëpushim të brishtë më 10 tetor.
Izraeli thotë se godet vetëm objektiva të Hezbollahut ose Hamasit në Liban, por tensionet mbeten të larta dhe armëpushimi duket gjithnjë e më i brishtë.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb