Jashari: Allegri iu jep besim individëve, Rabiotin nuk mund ta imitosh. Titulli? Është herët…
18 Dhjetor 2025
10:17
Alfred Lleshi
“Ndjehem shumë, shumë mirë dhe dëmtimi i përket së kaluarës. Dy muajt e fundit kam punuar shumë dhe nuk kam pasur asnjë problem”. Fjalët e Ardon Jasharit për “Gazzetta dello Sport” i japin qetësi Milanit, edhe pse shqiptaro-zvicerani pranon se nuk ishte ideale të ndalej në gusht, pas një negociate të gjatë mes kuqezinjve dhe Club Brugge: “Fat i keq…, në futboll ndodh. Në jetë gjithçka e ka një arsye”.
Jashari shpjegon se të gjithë e kanë bërë të ndihet i rëndësishëm, duke i shkruar dhe treguar afërsi. Në ekip ka gjetur shumë kampionë, njëri prej të cilëve luan pranë tij dhe ka fituar “Topin e Artë”: “Është e pabesueshme për të gjithë ne ta ndajmë fushën me Luka, jo vetëm për mua. Mund të mësoj shumë, ka personalitet të jashtëzakonshëm dhe cilësi teknike të veçanta. Në moshën e tij, zakonisht lojtarët e atij roli janë tërhequr”.
Për ndeshjen e sotme ndaj Napolit, që nuk duhet krahasuar me kampionatin: “Ekipi i Antonio Contes është i fortë dhe konkurrues, ndaj duhen besim e përkushtim. Është një ndeshje që tejkalon çdo skemë”.
Ndjenja mes Ardon Jasharit dhe Massimiliano Allegrit është e dukshme nga deklaratat e të dyve. Mesfushori i Milanit shpjegon për “Gazzetta dello Sport” rëndësinë e trajnerit kuqezi: “Është gjithmonë pranë nesh, u jep besim individëve dhe dhomës së zhveshjes. Për sukseset tona është thelbësor. Nga një si ai mund të mësoj shumë”. Edhe roli i Allegrit si ish-lojtar përkon me atë të Jasharit.
Të luante te Milani ishte ëndërr për Jasharin, i cili verën e kaluar këmbënguli për transferimin: “Club Brugge pati shumë kontakte me klube të tjera, por idetë i kisha të qarta dhe e shihja veten vetëm këtu”.
Objektivi tani është i qartë: “Punojmë fort për të luajtur në Champions sezonin e ardhshëm. Titulli? Jo, është shumë herët të flasim”. Për Adrien Rabiot shtoi: “Nuk mund ta imitosh, secili ka cilësitë e veta, si e ‘lexon’ ndeshjen dhe si luan…”