“Jeta e familjes Boletini, ndryshoj me lindjen e Isas”/ Stërnipi: Hapi Shkollën e Parë Shqipe në Kosovë
Në 28 Nëntor, Kulla e Isa Boletinit në Boletin zgjohet më herët se zakonisht. Flamujt valëviten mbi portën e gurit, ndërsa vizitorët nisen të mbërrijnë një nga një, për të nderuar njeriun që lidhet ngushtë me fjalinë e tij: “Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria.”
Gazmend Boletini, stërnipi i Isa Boletinit, teksa ecën mes mureve të gurta të kompleksit, kujton rrënjët e familjes së tij.
Ai tregon se familja Boletini ka pasur një zhvillim të madh ndër breza, por ishte lindja e Isa Boletinit ajo që shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë kombëtare.
“Jeta e familjarëve, jeta e familjes Boletini ka qenë me zhvillim të madh, mirëpo me lindjen e Isa Boletinit, pastaj periudha e tij kohore e ka bërë ndryshime të mëdha në historinë tonë kombëtare, sepse Isa ka lindur në kohën e epokës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në epokën e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912”, tha Gazmend Boletini.
Në Kullat e Boletinëve, ndërsa shëtit mes mureve të gurta që ruajnë historinë e familjes së tij, trashëgimtari i Isa Boletinit tregon për një nga arritjet më të mëdha të heroit të tyre: hapjen e shkollës së parë shqipe në Kosovë.
“Isa e hapi shkollën e parë shqipe këtu në Kosovë, me ministrin e Arsimit, ku më ka interesuar më së shumti hapja e shkollave shqipe në territorin e Kosovës dhe del që kisha shqiptare katolike në Stamboll të Epërme e kishin hapur flamurtarët në vitin 1897, dmth shkollën vetëm shkrim-lexim, jo zyrtare, por edhe Isa këtu e hapi shkollën 1899 pas dy viteve dhe ajo nuk ishte zyrtare po ishte private ku e solli Hoxhën dhe përveç fëmijëve të tij dhe nipave të tij i mësoi edhe fëmijët e zonave përreth”, shtoi ai.
Veprimtaria e Isa Boletinit filloi në 1901, me parandalimin e armatosjes së fshehtë të serbëve. Në 1903 pengoi hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë. Pas kthimit në 1906, organizoi veprimtaritë në Kosovë.
Gazmend Boletini theksoi se, pas arrestimit të krerëve shqiptarë nga Serbia, Isa Boletini mori rrugën drejt Vlorës me njerëzit e tij. Ata udhëtuan për tre ditë në shi dhe borë, duke ndaluar tek miqtë e tyre, dhe më 28 nëntor nisën nga Fieri për të ngritur flamurin e lirisë.
Kulla e Boletinit edhe sot pret vizitorë nga të gjitha trevat dhe jashtë vendit, konsideruar jo thjesht si një monument, por një dritare drejt historisë dhe krenarisë shqiptare./abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!