Jeta e të moshuarit mes librave/ Prej më shumë se një dekade, 75-vjeçari i shet pranë spitalit “Nënë Tereza”
schedule12:41 – 30 Nëntor, 2025
Prej më shumë se 10 vitesh, pranë Spitalit “Nënë Tereza”, Bashkim Gjoka është një figurë e njohur për kalimtarët. Mes dhjetëra librave të vendosur në trotuar, 75-vjeçari nga Gramshi pret çdo ditë blerësit e tij.
“Kam 10 vite që shes libra vetëm rreth zonës së spitalit “Nënë Tereza”. Në vitin 2015-2016 fillova të shes libra, mund ta përkufizoj për të rritur fitimin, një ekonomi më të mirë nga librat. Me këtë sy e shikoja të ardhmen time ekonomike”.
Para se të shiste libra, jeta e tij ka kaluar në shumë stacione të tjera të vështira. Pas mbylljes së uzinave, ku prodhoheshin armë, Bashkimi punoi si shitës ambulant për të siguruar të holla për familjen.
“Sa dola nga puna në 92, fillova shitës ambulant, shisja shapka, ora, gjëra që mbaja më lehtë se vija e merrja mallin në Tiranë për në Grmash. 6 orë rrugë në atë kohë”.
Në vitin 2004 u zhvendos në kryeqytet për të jetuar, vetë i pesti anëtar në familje. Nga shitës ambulant, kaloi në atë të librave. Sepse siç thotë, librat janë më të lehta për tu mbajtur. Megjithatë, shitjet nuk janë më si dikur.
“Kur erdha në 2004 në Tiranë, gjeta variantin e kësaj me libra se më parë shisja ora. Puna e librave që bëj tani më e lehtë, marr nja 30-40 libra boll kam. Nuk janë të gjitha ditët e mira, sidomos pas 2023. Shumë ditë iki siç vij, nuk mërzitem, se thash e kompensoj me pensionin. Dita më e mirë është 1 mijë e dyqind lekë. Në muaj mund të fitoj këto dy ditë”.
I keqardhur ai thotë se interesi i të rinjve për librat ka rënë nga viti në vit. Tani më së shumti, ndalen pranë tij pensionistët që kërkojnë klasikët shqiptarë.
”Ata që lexojnë libra e romane, moshat e treta më shumë. Mbi 65 vjeç kërkojnë librat e viteve para 90-ës, Dritëro Agollin, Kotelin, Kadaren”.
Puna e librave është vetëm kapitulli i fundit i një jete të mbushur me sakrifica. Ai kujton vitet e rinisë, kur u detyrua të punonte që në moshën 16 vjeçare në uzinë për të ndihmuar familjen.
“Në fillim thashë si do t’i mësoj unë këto pajisje… Por për një javë ia mora dorën. Ishte e vështirë, shumë e vështirë. Një punëtor që kishte gjashtë muaj para meje preu dorën gjatë punës.”
Edhe pse vitet më të bukura të rinisë i kaloi duke punuar në uzinë, punë mjaftë e vështirë, ai sot, kujton me nostalgji prodhimin e armës së parë në fabrikë, një proces që kërkoi përkushtim dhe kohë.
“Prodhuam kallashnikovin e parë, për tre muaj, 300 copë. Doli me shumë sukses, gradualisht hoqëm karabinët dhe filluam kallashnikovët, në një vit shkoi 10 mijë cope”.
Sot, pas një jete të kaluar mes uzinave, maleve dhe rrugëve të fshatit Gramsh, pensionisti Bashkim Gjoka gjen qetësi mes librave, pranë rrugës së njohur “Bardhyl” në kryeqytet. Ai del çdo ditë nga ora 9 deri në 12, jo vetëm për të shitur, por, për të mos u shkëputur nga njerëzit./abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!