“Ju mendoni se jeni pasardhës të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni”, mediat greke: Rama sulmon verbalisht gazetarin grek
Pas panelit të zhvilluar dy ditë më parë në Abu Dhabi, Rama është bërë objekt kritikash në mediat greke pas batutave të shkëmbyera me moderatorin me origjinë greke.
Gazeta greke protothema e fillon shkrimin e saj me fjalët: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka sulmuar verbalisht gazetarin greko-amerikan John Defterios gjatë një paneli në Samitin për Zhvillim të Qëndrueshëm që u mbajt në Abu Dhabi.
Incidenti ndodhi kur Defterios, moderator i diskutimit dhe ish-gazetar i CNN, gaboi në shqiptimin e emrave të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe atij të Malit të Zi, Milojko Spajić. Ndërsa kryeministri malazez e korrigoi qetësisht gazetarin, Rama reagoi i irrituar, duke ia atribuar gabimin origjinës greke të Defteriosit.
Gjatë diskutimit për investimet energjetike në Shqipëri, Rama ironizoi gazetarin, duke thënë se si grek ai “duhej ta njihte më mirë” ministrin e Energjisë të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sultan Al Jaber. Më pas, ai e akuzoi Defteriosin se “nënvlerëson njerëzit”, duke shtuar se grekët, sipas tij, mendojnë se kanë monopol mbi filozofinë dhe se janë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit, por “nuk janë”.
Sulmet verbale vazhduan edhe në fund të panelit, shkruan Gazeta, kur u diskutua madhësia e një investimi në Shqipëri. Kur Defterios përmendi shifrën “një miliard”,
Rama e korrigjoi me tone përçmuese, duke thënë: “Ti llogarit si grek. Kur flet për paratë e tua, shton tre zero. Kur flet për paratë e të tjerëve, i heq tre zero. Kjo është arsyeja pse BE-ja ju do kaq shumë.”
Shkëmbimi i fjalëve ka shkaktuar reagime të shumta, pasi komentet e Ramës u konsideruan fyese dhe të paprovokuara, duke shënjestruar drejtpërdrejt prejardhjen etnike të gazetarit gjatë një aktiviteti ndërkombëtar, përfundon gazeta greke.
© BalkanWeb