Kamber Qaka prezantohet te Partizani, detajet e kontratës me ish-lojtarin e kombëtares
14 Janar 2026
14:22
Alfred Lleshi
𝐊amber Qaka, ish-lojtar i kombëtares kuqezi në kohën e trajnerit Panucci, është zyrtarisht pjesë e “demave të kuq” në Superiore. Njoftimi ka ardhur nga vetë klubi kryeqytretas: “Partizani me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me mesfushorin Kamer Qaka. Ish-lojtari i përfaqësueses së Shqipërisë është zyrtarisht pjesë e të kuqve, skuadër me të cilën do të provojë edhe aventurën e parë në kampionatin shqiptar.
Qaka i cili ka nënshkruar me të kuqtë një kontratë për një vit e gjysmë është prezantuar në ambjentet e klubit nga drejtori sportiv Agim Ibraimi. 30-vjeçari i bashkohet Partizanit pas eksperiencës pozitive te Shkëndija e Tetovës, skuadër me të cilën fitoi edhe 2 tituj kampion. Njëkohësisht, ai dhuroi performanca mbreslënëse edhe në Ligën e Konferencës, ku është aktivizuar në të gjitha përballjet europiane.
I lindur në Pejë, gjatë karrierës së tij, Qaka është aktivizuar në Norvegji me klubet e Raufoss, Honefoss apo edhe Sarpsborg. Ai ka luajtur gjithashtu me Poli Iasi dhe Steauan e Bukureshtit në Rumani dhe Mezokovesd në Hungari”.