Kardinali i Nderit i Vatikanit, Ernest Simoni Troshani mban meshë të shenjtë në Katedralen e Rrëshenit: Lidhni kurorë, martesa dhe familja janë të shenjta!
Eminenca e Tij, kardinal Ernest Simoni Troshani, i shpallur nga Papa Françesku “Martir i gjallë” vizitoi qytetin e Rrëshenit, në rrethinat e së cilit ka kaluar 28 vite të jetës së tij, si i burgosur politik. Nën shenjtërinë e tingujve të këmbanave të Katedrales së Rrëshenit qindra besimtarë nga e gjithë zona mirëpritën me duartrokitje
Kardinalin e Nderit të Vatikanit, i cili u shoqërua në këtë vizitë historike nga Ipeshkvi Dom Gjergj Meta dhe kryebashkiaku i Mirditës Albert Mëlyshi. Gjatë meshës së shenjtë, Kardinal Ernest Simoni Troshani u ndal te familja, duke u bërë thirrje besimtarëve të ruajnë themelet e forta të saj.
“Lidhni kurorë, martesa dhe familja janë të shenjta!”
Kardinali 97-vjeçar u nderua nga Bashkia e Mirditës me titullin “Mirënjohja e qytetit”, ndërsa ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit imzot Dom Gjergj Meta e konsideroi bekim vizitën e tij.
“Për ne si Dioqezë e Rrëshenit, por edhe si Mirditë ishte një nder i madh prania e Tij, për faktin vetë se ai është edhe mirditor me origjinë, kjo na bën më krenarë akoma. Shpresoj që me këtë bekim të Tij edhe jeta jonë këtu, jeta shpirtërore dhe ajo sociale të ketë më shumë fryte, të jetë më shumë aktive dhe më e bukur”.
Dom Ernest Simoni Troshani është kardinali i dytë me origjinë shqiptare, pas Mikel Koliqit. Gjatë vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri në vitin 2014 në pritjen ceremoniale Dom Ernest Simoni Troshani rrëfeu përballë Atit të Shenjtë historinë e shqiptarëve, historinë e jetës së tij dhe përballjet me regjimin gjakatar, që e dënoi me varje në litar, vetëm se mbajti meshë përshpirtjeje pas vdekjes së presidentit amerikan John Cennedy, dënim që iu konvertua më pas me burgim e punë të rëndë. Me të dëgjuar këtë rrëfim, Papa Françesku u përlot dhe i puthi duart meshtarit që i mbijetoi komunizmit dhe dy vite më pas, në 2016 Ati i Shenjtë bëri pjesë të Kolegjit të Kardinalëve, priftin e Dioqezës Shkodër-Pult, Dom Ernest Simoni Troshani.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb