Katër goditje me thikë pranë zemrës/ Plagosja e 15-vjeçarit në Durrës, flasin fqinjët: Jemi të tronditur! Përgjegjësia, mes familjes, shkollës dhe shtetit
Vijon të mbetet kritike gjendja shëndetësore e 15-vjeçarit nga Durrësi, i cili u plagos me thikë nga një 14-vjeçar pas një konflikti të nisur në rrjetet sociale. I mituri ka marrë 4 goditje, dy prej të cilave pranë zemrës, ndërsa mjekët në Spitalin Rajonal të Durrësit bëjnë me dije se këto janë 48 orë vendimtare për shëndetin e tij.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku pas sherrit të nisur në rrjetet sociale, dy të miturit lanë takim për t’u sqaruar, ndërsa morën me vete shokët e tyre. Dy grupet e adoleshentëve u përleshën fizikisht, sherr që përshkallëzoi në përdorimin e sendeve të forta dhe mjeteve prerëse.
Banorë të zonës së ish-Kënetës shprehen të tronditur për ngjarjen, duke ngritur shqetësimin për mënyrën sesi po edukohen brezat e rinj.
“Ngjarja na ka tronditur, me sa po shohim ka degraduar shoqëria dhe familja. Kjo nuk është vetëm një e metë e shoqërisë, problemin e shoh tek familja, pasi prindi duhet të jetë psikolog.
Më pas kanë përgjegjësi komuniteti, shkolla dhe shteti. Është një zinxhir që për kohën ku ka ardhur sot duhet të angazhohen të gjithë.
Lëndët narkotike dhe rrjetet sociale janë gjithashtu një realitet për të rinjtë e sotëm”, thotë njëri prej tyre.
News24 kontaktoi edhe me prindërit e të miturit që mbeti i plagosur, por refuzuan të flisnin për shkak të gjendjes emocionale të rënduar.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb