Katër kandidatë në garë për të zëvendësuar Dumanin, KLP zgjedh sot kreun e ri të SPAK
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë sot drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Në garë janë katër kandidatë: Klodian Braho, Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi dhe Elvin Gokaj.
Në orën 09.00 do të nisin seancat dëgjimore me secilin prej tyre. Sipas KLP-së, intervistat do të zhvillohen në rend alfabetik, dhe secili kandidat do të intervistohet për 45 minuta.
Pas seancave pritet të bëhet votimi, ku fitues do të shpallet kandidati që merr më shumë vota. Gara për drejtimin e SPAK ka ngjallur interes të lartë, për shkak të peshës së këtij institucioni në hetimin e korrupsionit në nivele të larta dhe dosjeve sensitive që ka në dorë.
Për këtë arsye në sallë prite të jenë dhe një pjesë e madhe e ambasadorëve të atashuar në vendin tonë.
“Në prag të zgjedhjes së nesërme të kreut të ri të SPAK, ku Ambasadori Gonzato do të jetë i pranishëm së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, ai shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”, njoftoi ambasada e BE.
© BalkanWeb