“Kemi ujë vetëm 3 orë në ditë”, Ilir Meta: ‘Diella’ e Drejtësisë, pjellë e AKSHI-t, të mësojë që dje na ikën 42 herë dritat në burg
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një postim në rrjetet sociale, ka reaguar në lidhje me interpelancën e mbajtur sot me ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari, me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm të PL, Tedi Blushi.
Në rrjetet sociale, krahas postimit, Meta ka ndarë edhe një foto të modifikuar të ministrit Lamallari, i cili është përshtatur si “Diella”.
Meta shkruan se “Diella e Drejtësisë duhet të dijë që vetëm ditën e djeshme në IEVP “Jordan Misja”.
Ai ka ngritur shqetësim në lidhje me mungesën e shërbimit të duhur shëndetësor në burgje, ndërsa sipas tij gardianët nuk janë shpërblyer për punën shtesë.
“Dëgjova “Diellën” e Drejtësisë që fliste për situatën në burgje dhe meqë nuk e di po e njoftoj që vetëm dje ka ikur 42 herë energjia elektrike te IEPV “Jordan Misja”, jo vetëm për mua, por për rreth 500 të burgosur e të paraburgosur që ndodhen këtu.
A e di “Diella” e Drejtësisë që këtu ka vetëm 3 orë ujë në ditë?
A e di “Diella” e Drejtësisë që në burgje vdesin qytetarë për mungesën e trajtimit të duhur shëndetësor?
A e di “Diella” e Drejtësisë që gardianët nuk kanë marrë asnjë qindarkë shpërblim për punën jashtë orarit, as ushqimin, as trajtimin që meritojnë sipas ligjit?
E ç’mund të presësh nga “Diellat”?
Ato janë pjellë e AKSHI-t, simbolit të korrupsionit skizofrenik.
Ndërsa lidhur me respektimin e të drejtave të mia dua t’u kujtoj të gjithë qytetarëve që akoma nuk më kanë dorëzuar të zbardhur, as mua, as avokatit tim, vendimin e 2 korrikut 2025, të dënimit tim të dytë nga IEPV “Jordan Misja” për lirinë e fjalës”, shkruan Meta.
© BalkanWeb