Kërkesa e Netanyahut për falje rrit tensionet në Izrael
schedule16:20 – 2 Dhjetor, 2025
Kërkesa e Benjamin Netanjahut për falje me qëllim “promovimin e pajtimit” në Izrael ka shkaktuar debat të madh, ndërsa gjyqi i gjatë për korrupsion i kryeministrit vazhdon të përçajë shoqërinë izraelite.
Lajmi bëri bujë papritur në Izrael (30.11.2025): Kryeministri Benjamin Netanyahu i ka kërkuar Presidentit Isaac Herzog ta amnistojë paraprakisht, duke i dhënë fund gjyqit të tij për korrupsion. Do të ishte një veprim shumë i diskutueshëm, pothuajse i paprecedent, pasi faljet presidenciale zakonisht jepen vetëm pas një vendimi.
Yedioth Ahronoth, një nga gazetat kryesore të përditshme të Izraelit, publikoi një artikull të hënën me titullin “Dilema e Faljes”, ndërsa gazeta e përditshme e krahut të djathtë Israel Hayom pranoi se “kërkesa është e pazakontë dhe bart pasoja serioze”.
Në një video-deklaratë televizive, Netanjahu tha se ishte në interesin e tij personal të provonte pafajësinë e tij në gjykatë, por sipas tij është edhe në interesin kombëtar të shkurtonte gjyqin. Ai pretendon se procesi “po na përçan”.
“Realitetet e sigurisë, realitetet politike dhe interesi kombëtar, kërkojnë ndryshe”, tha Netanjahu. “Procesi po na përçan, po nxit mosmarrëveshje të hidhura dhe përçarje”. Netanjahu argumentoi se “përfundimi i menjëhershëm i gjyqit do të ndihmonte në uljen e tensioneve dhe në promovimin e pajtimit për të cilin vendi ynë ka kaq shumë nevojë”.
Trump mbështet kërkesën për falje
Komentatorët izraelitë vunë re se kërkesa erdhi menjëherë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump i shkroi Presidentit Herzog më 12 nëntor, duke kërkuar një falje të plotë për Netanjahun. Trump, një mbështetës i hershëm i Netanyahut, gjithashtu bëri thirrje për një falje në tetor gjatë një fjalimi në Knesset, Parlamentin e Izraelit.
Netanjahu është i vetmi Kryeministër izraelit në detyrë që përballet me gjyq, duke u përballur me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në tre raste të ndara. Ai akuzohet për pranimin e dhuratave në këmbim të favoreve politike, si dhe për kërkimin e mbulimit dhe favoreve nga mediat, nga një kompani telekomunikacioni dhe botuesi izraelit Yedioth Ahronoth.
Netanyahu i ka mohuar të gjitha akuzat, duke e quajtur vazhdimisht gjyqin pesëvjeçar një “gjueti shtrigash” nga media, policia dhe nga gjyqësori kundër tij dhe familjes së tij.
Kritikët e tij e kanë akuzuar prej kohësh atë për zgjatjen e luftës në Gaza si dhe konflikteve të tjera, me qëllim që të mbtetet koalicioni i tij qeverisës në pushtet dhe të shmangë problemet ligjore.
Gjykimi kundër tij është zvarritur për shkak të vonesave që lidhen me pandeminë COVID-19 dhe mocione të shumta nga avokatët e tij për të shtyrë seancën dëgjimore për arsye diplomatike dhe sigurie që lidhen me konfliktet në Gaza, Liban dhe Iran.
Kryeministri përballet me zgjedhje të tjera në vjeshtën e vitit 2026, por analistët politikë spekulojnë se zgjedhjet mund të jenë më herët, varësisht se si do të zhvillohet situata.
“Netanjahu nuk po kërkon falje”, shkroi Ben Kaspit, një kolumnist për të përditshmen Maariv. “Ai dëshiron një rrugë të tërthortë. Një përjashtim nga barazia para ligjit.”
Nadav Eyal, një komentator për Yedioth Ahronoth, tha se kërkesa për falje ishte një fitore për Netanyahun pavarësisht rezultatit. Nëse Herzog, një ish-rival politik, e refuzon kërkesën e tij, Netanyahu, do të “shfrytëzonte rolin e tij si viktimë deri në zgjedhjet e ardhshme”./DW/