Kim Jong Un lartëson trupat koreanoveriore pas kthimit nga misioni në Rusi
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, mori pjesë në mirëpritjen e një njësiti të ushtrisë koreanoveriore, pas kthimit të tij në atdhe pasi kishte kryer detyra në Rusi, raportoi të shtunën agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.
Në një fjalim të transmetuar nga KCNA, Kim vlerësoi oficerët dhe ushtarët e Regjimentit të 528-të të Inxhinierëve të Ushtrisë Popullore Koreane (KPA) për sjellje “heroike” dhe “heroizëm të madh” në përmbushjen e urdhrave të dhëna nga Partia e Punëtorëve të Koresë në pushtet gjatë një dislokimi 120-ditor jashtë vendit. Në videon e publikuar nga Koreja e Veriut shihen ushtarë me uniformë duke zbritur nga një avion, Kimi duke e përqafuar një ushtar të ulur në karrocë invalidi, si dhe ushtarë dhe zyrtarë të mbledhur për të mirëpritur trupat.
KCNA tha se njësiti ishte dërguar në fillim të gushtit dhe kishte kryer detyra luftarake dhe inxhinierike në rajonin e Kurskut në Rusi gjatë luftës së Moskës në Ukrainë. Muajin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se trupat e Koresë së Veriut, të cilët ndihmuan Rusinë ta zmbrapste një inkursion të madh ukrainas në rajonin perëndimor të Kurskut, tani po luajnë rol të rëndësishëm në pastrimin e zonës nga minat.
Sipas një pakti të ndërsjellë për mbrojtje mes dy vendeve, Koreja e Veriut vitin e kaluar dërgoi rreth 14.000 ushtarë për të luftuar përkrah Rusisë në Kursk, dhe më shumë se 6.000 prej tyre u vranë, sipas burimeve nga Koreja e Jugut, Ukraina dhe Perëndimi. Kim tha se nëntë ushtarë u vranë gjatë misionit, duke e përshkruar vdekjen e tyre si “humbje që ta copëton zemrën”, dhe njoftoi se regjimenti do të nderohej me Urdhrin e Lirisë dhe Pavarësisë. Ceremonia e pritjes u mbajt të premten në Phenian dhe u ndoq nga zyrtarë të lartë ushtarakë, udhëheqës të partisë në pushtet, familjarë të ushtarëve dhe turma të mëdha njerëzish, sipas KCNA.
Në fjalimin e tij, Kim tha se regjimenti kishte pastruar zona të rrezikshme në kushte luftarake dhe kishte demonstruar “besnikëri absolute” ndaj partisë dhe shtetit. Ai gjithashtu lavdëroi indoktrinimin politik, disiplinën dhe unitetin mes trupave, duke e quajtur paraqitjen e tyre shembull për forcat e armatosura. Koreja e Veriut i ka nderuar haptazi trupat e saj që luftuan për Rusinë në luftën në Ukrainë. Në gusht, Kim i lavdëroi ata në një takim me oficerë të përfshirë në operacione jashtë vendit, ndërsa më herët mediat shtetërore e shfaqën atë duke mbuluar arkivole me flamurin kombëtar në atë që dukej të ishte riatdhesimi i ushtarëve të vrarë përkrah forcave ruse.
© BalkanWeb