“Kjo dosje është 600 milionë euro vjedhje”, Karanxha: Në Rrugën e Kombit u shkel rëndë ligji, dosja duhet rihapur nga SPAK
TIRANË- Ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në emisionin “Real Story”, u shpreh se në ndërtimin e Rrugës së Kombit është shkelur rëndë ligji, duke sjellë pasoja të rënda në ekonominë e vendit. Sipas tij, janë marrë kredi me interesa shumë të larta, të cilat vijojnë të paguhen nga qytetarët shqiptarë.
Karanxha theksoi se procedurat ligjore nuk janë ndjekur siç duhet, ose nuk kanë ekzistuar fare, ndërsa çmimet e parashikuara në kontrata kanë qenë tre deri në katërfish më të larta se çmimet e tregut.
Ai deklaroi se çështja penale është nxjerrë jashtë afatit përmes lojërave procedurale dhe është pushuar me procedurë, duke fajësuar ish-kryeprokuroren e përgjithshme, Ina Rama. Sipas tij, ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Penale lejojnë ngritjen e akuzës edhe jashtë afatit për aktet procedurale.
Ai theksoi se kjo çështje duhet të hetohet nga SPAK.
“Te Rruga e Kombit është shkelur rëndë ligji dhe kjo ka sjellë pasoja shumë të rënda në ekonominë e vendit, sepse janë marrë disa kredi me përqindje shumë të lartë, të cilat paguhen nga populli shqiptar. Duhet të ishte ndjekur procedurë tjetër, ose s’ka pasur fare procedurë. Çmimet e parashikuara në kontratë kanë qenë tre apo katërfish më të shtrenjta se çmimet e tregut.
Kjo çështje penale është nxjerrë jashtë afatit me lojëra procedurale, me lojë të ish-kryeprokurores së përgjithshme, Ina Rama. Është nxjerrë jashtë afatit dhe është pushuar çështja me procedurë. Me ndryshimet e fundit ligjore ka ndryshuar Kodi i Procedurës Penale; veprimet procedurale, provat jashtë afatit nuk mund të përdoren, por aktet procedurale, ti mund të ngresh akuzë jashtë afatit.
Kjo çështje nuk është filluar nga SPAK.Mendoj se duhet të hapet. Kjo është dosje 600 milionë eurosh vjedhje, është e barabartë me të gjitha dosjet që mund të diskutohen sot. Kemi të bëjmë me pesëfishin e çmimeve”, tha ai./abcnews.al