Klodian Braho në krye të SPAK/ Arbër Hoxha: Drejtues i duhur, është një figurë dominante me eksperiencë të pasur
schedule18:32 – 11 Dhjetor, 2025
Avokati Arbër Hoxha, i ftuar në “Tirana Live” në ABC News, vlerësoi emërimin e Klodian Brahos në krye të SPAK, duke e cilësuar atë si një zgjedhje të pritshme dhe të mbështetur gjerësisht. Sipas Hoxhës, Braho ka qenë “krahu i djathtë i Altin Dumanit” dhe një profesionist me karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, i cili e ka provuar veten në çdo detyrë.
Ai theksoi se të gjithë kandidatët ishin në nivel dhe se procesi këtë herë u zhvillua pa ndërhyrje apo konfrontime ndërkombëtare, ndërsa mbështetja për Brahon ishte e qartë. Avokati e konsideroi kreun e ri të SPAK si “drejtuesin e duhur”, një figurë dominante që pritet t’i japë drejtim të ri institucionit, ndërsa vuri në dukje se rikthimi i mbështetjes së hapur të SHBA-ve dhe kohezioni mes administratave amerikane janë sinjale pozitive për vijimin e punës. Sipas tij, platforma e Brahos është vetëm “maja e ajsbergut”, pasi puna e SPAK pritet të intensifikohet edhe më tej.
“Kandidatura ishte e qartë dhe e pritshme. Klodian Braho ishte krahu i djathtë i Altin Dumanit. Të gjithë kandidatët ishin në lartësinë e situatës. Braho është një njeri që e ka provuar veten dhe ka pasur një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Prisja që të kishte marrë më shumë vota. Të gjithë kandidatët ishin në lartësinë e situatës dhe kësaj here nuk pati konfrontimin e përfaqësisë së disa shteteve.
Mbështetja ishte e qartë. Braho një drejtues i duhur për SPAK. Është një figurë dominante. Ka një rikthim që Ambasada e Shteteve të Bashkuara janë pranë Prokurorisë së Posaçme, fondet nuk janë ndërprerë dhe ka të njëjtën qasje si administrata Biden ashtu edhe ajo e Trump. Platforma e Braho është vetëm maja e ajsbergut, sepse jam i sigurt që do të bëhen punë edhe më të mira. Do i japë udhë SPAK, që ka filluar të hedhë hapat e veta”, tha Arbër Hoxha./abcnews.al