Konfliktet në familjen Beckham/ Vjehrri i Brooklyn thyen heshtjen për përçarjen me prindërit: Vajza dhe dhëndri im janë të mrekullueshëm!
Nelson Peltz, babai i Nicola Peltz, ka folur për herë të parë publikisht lidhur me tensionin e vazhdueshëm familjar mes Brooklyn Beckham dhe prindërve të tij, David dhe Victoria Beckham, duke u shfaqur mbrojtës ndaj vajzës dhe dhëndrit të tij. Miliarderi 83-vjeçar, i cili deri më tani kishte mbajtur një profil të ulët, u pyet për situatën gjatë një eventi në West Palm Beach të martën, më 3 shkurt. Ai zgjodhi të ishte i matur në deklaratat e tij, duke thënë:
“Vajza ime dhe Beckham-ët janë një histori krejt tjetër dhe kjo nuk është koha apo vendi për ta trajtuar këtu. Por mund t’ju them se vajza ime është e mrekullueshme, dhëndri im Brooklyn është i mrekullueshëm dhe mezi pres që ata të kenë një martesë të gjatë dhe të lumtur së bashku.”
Peltz shtoi gjithashtu se marrëdhënia e tij me çiftin është e ndërsjellë, duke theksuar se ndonjëherë u jep këshilla, por po aq shpesh merr këshilla prej tyre. Deklarata e tij vjen vetëm disa ditë pas reagimit publik të Brooklyn Beckham, i cili përmes disa storieve në Instagram bëri të qartë se nuk kishte ndërmend të pajtohej me prindërit e tij. Ai ngriti akuza serioze për mënyrën se si, sipas tij, David dhe Victoria Beckham kanë menaxhuar ndër vite imazhin e familjes në media.
“Gjatë gjithë jetës sime, prindërit e mi kanë kontrolluar rrëfimet në shtyp për familjen tonë,” shkroi Brooklyn, duke shtuar se postimet pretencioze në rrjetet sociale, ngjarjet familjare dhe marrëdhëniet joautentike kanë qenë një realitet i vazhdueshëm për të. Ai vijoi më tej duke deklaruar se së fundmi ka parë “se sa larg mund të shkojnë për të shpërndarë gënjeshtra të panumërta në media, kryesisht në kurriz të njerëzve të pafajshëm, për të ruajtur imazhin e tyre”, duke përfunduar se “e vërteta gjithmonë del në shesh”.
Ndërkohë, vëllezërit dhe motra e tij duket se janë rreshtuar hapur në krah të prindërve. Romeo, Cruz dhe Harper Beckham janë parë së fundmi në disa dalje publike përkrah David dhe Victoria Beckham. Javën e kaluar, gjatë Javës së Modës në Paris, familja Beckham u shfaq e bashkuar, me përjashtim të Brooklyn. Cruz u pa duke buzëqeshur teksa mbante dorën e partneres së tij, Jackie Apostel, ndërsa Romeo u shoqërua nga Kim Turnbull.
Nicola Peltz’s billionaire father Nelson breaks his silence on the Beckham feud after son-in-law Brooklyn’s scathing statement https://t.co/inZ2nhv7E0
— Daily Mail Celebrity (@DailyMailCeleb) February 3, 2026
© BalkanWeb