Konflikti i monistëve Rama dhe Berisha me pluralizmin shqiptar!
Takimi i pardjeshë i Salianjit në Korçë dhe tryeza e thirrur nga PD me partitë opozitare e aktivistë opozitarë tre ditë më parë, tërhoqi sërish vëmendjen këtë fundjavë ndaj zhvillimeve në opozitë. Ndërkohë që situata e nderë mes qeverisë dhe SPAK në anën tjetër, që prej tetorit mbetet një konstante që po konsumon shumë energji të shoqërisë dhe vetë mazhorancës, deri në rraskapitje. Për rrjedhojë se kjo gjendje zgjat prej disa vitesh, jemi shndërruar në një shoqeri në konfuzion total pasi nga njëra anë qeverisemi shume keq nga PS dhe nuk shohim një zgjidhje tek PD si forca më e madhe opozitare. Ky ngërç që vazhdon që prej 8 vitesh, pra që nga zgjedhjet e 2017, atëherë kur krejt panatyrshëm mazhoranca vërtete fitoi mandatin e dytë siç kish ndodhur dhe më parë, por opozita humbi shumë më keq se kur ra nga pushteti në 2013. Ky moment anomal dhe atipik ka qënë dhe mbetet gjeneza e problemit e që vazhdon të tërheqë zvarrë ngjarjet e mëpasme e përditshmërinë politike.
Por për t’ju kthyer aktualitetit, nëse nuk kuptojmë thelbin sistemik të krizës së rëndë politike, institucionale, ekonomike e sociale që ka mbërthyer Shqipërinë, është e kotë të kërkojmë rrugëzgjidhje. Sidomos kur edhe partitë e reja që dolën për sfiduar dy partitë e mëdha dështuan me sukses, pavarësisht se kush gaboi dhe pse. Dhe mjaftojnë dy vijat e sjelljes së konsoliduar të Ramës e Berishës si drejtuesit e dy palëve përcaktuese mazhorancë-opozitë, për të kuptuar pse jemi në këtë pikë.
Të dy janë refraktarë si ndaj ligjit e drejtësisë, ashtu edhe ndaj këshillave të vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar apo dhe pjesës së pavarur të shoqerisë për normalitet demokratik e ekonomik. Pasi të dy i bashkon vetëm një gjë, një parim, një “modus operandi” (mënyrë veprimi), apo e thënë më shkoqur e njëjta strukturë mendimi e për pasojë sjelljeje. MONIZMI! Të dy , si Rama e Berisha mendojnë se ka vetëm një realitet, një botëkuptim, një shpjegim, një mënyrë të menduari e vepruari, një pikëpamje mbi shoqërinë apo partitë politike. Ajo që mendojnë dhe imponojnë ata vetë ndaj pjesës tjetër të Shqipërisë që i ndjek dhe u bindet. Një Shqipëri moniste që po tkurret sipas të gjitha sondazheve.
Të dy nuk dëgjojnë por vetëm flasin, kundërshtojnë çdo realitet apo opinion të ndryshëm, kërkojnë t’u mbushin mëndjen kujtdo, kurdo e kudo, se çdo gjë që thonë e bëjnë ata të dy është e vërteta e fundme. E vërteta e madhe e stampës Rama apo Berisha. Të gjithë të tjerët janë gabim, kalojnë limitet e sferës së veprimit e mendimit. Qoftë si individë, bashkëpunëtorë apo partner të brendshëm e të huaj. Siç e ka thënë në mënyrë folklorike për ta bërë të kuptueshme për publikun e gjerë Ben Blushi në kohën e divergjencave më Ramën, se PS po funksiononte sipas stilit “mos i fol shoferit”. Të njëjtën gjë në 1992 tha dhe Gramoz Pashko në fjalimin e tij historik në Konferencën e Jashtëzakonshme të PD kur u përjashtua bashkë me shumë themelues të tjerë të partisë. E natyrisht që pasojat e mosdëgjimit dhe imponimit të dy leadereve janë sot përpara nesh, si majtas në qeveri e ashtu dhe djathtas në opozitë. Vijnë si jehonë e jetëzuar në aktualitetin politik.
Rama është mbyllur në “kafazin e qelqtë” të shurdhët ku nuk merr parasysh as opozitën në parlament e jashtë tij, as raportet ndërkombëtare për implikimin e krimit të organizuar e korrupsionit në çdo sferë të shoqërisë, e as SPAK që kërkon pezullimin e zëvendëskryeministres Balluku, e aq më keq heqjen e imunitetit të saj parlamentar. Kjo sjellje izolacioniste ndaj botës përtej tij dhe kapricios së tij anti-demokratike e ka rrënjën pikërisht në sjelljen e tij prej Ajatollahu, ose Leaderi Suprem. Ai e konsideron veten si kryeprift, kryeministër, kryetar Kuvendi, kryetar opozite, kryeredaktor i përgjithshëm i medias, e aq më keq si kryeavokatin e krimit e korrupsionit. Ndaj dhe kriza e rëndë kushtetuese e politike në të cilën gjëndemi është pasoje e mënyrës moniste të të vepruarit dhe menduarit të tij. Çdo orë të ditës e çdo ditë të vitit.
Por edhe në opozitë ndodh fatkeqësisht e njëjta gjë. Berisha që përmes gojës e dorës së atyre që e rrethojnë vetëpërcaktohet si “leader historik”, kryetar i zgjedhur në përjetësi, mbartës monopolistik i moralit dhe misionit opozitar, e më keq akoma si prokuror e gjyqtar moral i çdokujt që i del kundër. Edhe i drejtësisë. As më shumë e as më pak si gjithë presidentët apo kryeministrat autokrat të azisë qendrore e pse jo ruse. E të gjithë këto modele moniste flasin në emër të votës dhe demokracisë natyrisht.
E pra ku e gjejmë tjetër monizmin politik sot nëpër botë? Tek Radikalizmi Islamik dhe Autokracitë Lindore që nga Moska e deri ne Teheran e Pekin. Dhe mbase nuk është rastësi që kohët e fundit mediat ende të lira apo dhe politikanë si Arben Ahmetaj, po rreshtojnë çdo ditë fakte të infiltrimit të investimeve nga vënde jo-miqësore në Shqipërinë anëtare të NATO-s. Ç’ka është paralajmëruar të tregohet kujdes si nga shefja e FMN në Tiranë jo më larg se dy ditë më parë lidhur me Paqen Fiskale, apo Escobar para 2 vitesh në një prononcim për mediat shqiptare.
Janari dhe muajt në vijim do jenë shumë interesantë. Përplasja e Ramës me SPAK dhe ajo e Berishës me pakënaqësinë që po përfaqëson me sukses Salianji në radhët e opozitës, do shpërfaqin krizën e madhe të Shqipërisë së 2025. Tensionin mes monizmit të çiftit Rama-Berisha nga njëra anë, dhe vokacionin perëndimor të shumicës së qytetarëve. Aq më tepër që zhvillimet e mëdha gjeopolitike i kanë nxjerrë SHBA në një aksion të qartë dhe të vendosur për të ndarë pozicionimin e qartë që duhet të mbajnë vende si Shqipëria e Ballkani Perëndimor në tërësinë e vetë.
Akti i Kongresit Amerikan për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet t’i shqetësojë seriozisht monistët e Tiranës që po mbysin pluralizmin aq të dëshiruar nga brenda dhe jashtë vendit. Sepse fatkeqësisht për ta Shqipëria i takon perëndimit e perëndimi i takon Shqipërisë.
© BalkanWeb