“Kontrolluan një kompani për dokumentet e “Range Rover”-it të Flamur Nokës”, Berisha: Makinën e ka blerë Lul Basha!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë deklarata të reja në një konferencë për mediat, ku ka ngritur akuza lidhur me kontrolle të ushtruara ndaj një kompanie private dhe mënyrën se si, sipas tij, janë trajtuar të dhënat për blerjen e një automjeti.
Berisha deklaroi se një kompani me emrin “Mektrin” është kontrolluar dy herë brenda pak ditësh nga autoritetet, me qëllim, sipas tij, gjetjen e dokumentacionit të një automjeti tip Range Rover, që pretendohej se ishte blerë nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka.
Sipas Berishës, gjatë kontrollit të parë përfaqësuesit e kompanisë kanë deklaruar se nuk dispononin dokumentet përkatëse, ndërsa në kontrollin e dytë u është kërkuar që dokumentet të paraqiteshin patjetër.
Sipas pretendimeve të kreut të opozitës, nga verifikimet ka rezultuar se automjeti në fjalë nuk ishte blerë nga Flamur Noka, por nga Lulzim Basha. Berisha tha se punonjësi i kompanisë ka konfirmuar këtë fakt dhe ka dhënë të dhënat përkatëse të automjetit, duke shtuar se personi për të cilin kërkoheshin dokumentet nuk kishte kryer asnjë blerje në atë subjekt.
Berisha e cilësoi këtë rast si një ngjarje reale dhe ngriti dyshime për përdorim të institucioneve për presion politik, duke deklaruar se, sipas tij, situata po paraqitej si një çështje penale ndaj Nokës.
© BalkanWeb