Kosovë, arrestohet ish-ministri i akuzuar për korrupsion/ Fadil Ismajli tjetërsonte pronat në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë për perfitime personale
Dhjetra arrestime në Kosove me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsionit, mes të cilëve ish ministri Fadil Ismajli, në krye të ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës në vitin 2013, nga rradhët e partisë së Behgjet Pacollit.
Njoftimi është dhënë nga Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, i cili shkruan në rrjetet e tij sociale se është finalizuar me sukses një operacion i gjerë, pas një hetimi disamujore të zhvilluar nga Policia e Kosovës.
Sipas Sveçlës, operacioni është bazuar në të dhënat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe ka çuar në arrestimin e disa zyrtarëve të lartë publikë, të dyshuar për përfshirje në veprime të paligjshme të ndërlidhura me procesin e shpronësimit të pronave private.
Dyshimet e prokurorisë janë se ata kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozicionet e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Kosovës.
Në këtë rast janë të përfshirë përpos ministrit edhe disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, zyrtarë nga avokatura e shtetit, ekspert të gjykatës dhe një zyrtar në Departamentin e Shpronësimeve.
Konkretisht ata dyshohet se përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, kanë iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike.
Përveç personave të arrestuar, Policia ka sekuestruar një sërë pasurish dhe të dhënash që mund të përdoren si prova në hetimet e mëtejshme. Konkretisht, janë konfiskuar rreth 20 mijë euro, armë zjarri, bizhuteri, dokumente të ndryshme, pajisje elektronike dhe tri automjete, që dyshohet se lidhen me aktivitetet kriminale të të arrestuarve.