Kremtohet në Tiranë Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Arabe
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Arabe u kremtua në një aktivitet kulturor të organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë. Pjesëmarrësit vunë theksin te rëndësia që ka luajtur gjuha arabe si përcjellëse e mendimit kulturor dhe si një urë komunikimi mes popujve, duke nënvizuar se ajo nuk ka qenë kurrë thjesht shkronja të ngurta, por një mjet takimi dhe një zë njerëzor që kapërcen kufijtë.
Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite, Faisal Ghazi Ismail Hifzi, tha në fjalën e tij se këtë vit Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Arabe ka si motiv “rrugëtimin inovativ drejt një të ardhmeje gjuhësore gjithëpërfshirëse”.
“Mbretëria e Arabisë Saudite i ka kushtuar gjuhës arabe një kujdes të veçantë, duke u nisur nga pozita e saj fetare dhe prania gjithnjë e në rritje në nivel global. Në këtë kuadër janë ndërmarrë nisma të rëndësishme, mes të cilave Kompleksi Global i Mbretit Selman për Gjuhën Arabe, i cili punon për forcimin dhe përdorimin e gjuhës arabe, zhvillimin e saj, mbështetjen e kërkimit shkencor, si dhe zgjerimin e pranisë së saj në forumet ndërkombëtare, në përputhje me Vizionin e Mbretërisë 2030”, tha ai.
Ambasadori saudit theksoi gjithashtu se marrëdhëniet mes Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Shqipërisë tashmë nuk janë vetëm në nivel politik dhe ekonomik, por edhe kulturor, për të cilat, sipas tij, ekziston krenari dhe përkushtim për t’i forcuar më tej. Ai nënvizoi se gjuha dhe kultura janë themeli më i rëndësishëm i çdo partneriteti mes popujve, duke veçuar arritjet e përbashkëta në fushën e përkthimit kulturor, i cili përfaqëson një urë të gjallë mirëkuptimi dhe afrimi, si dhe hap horizonte të reja për njohjen e letërsisë saudite dhe pasurisë së përvojës së saj njerëzore.
Në emër të qeverisë shqiptare, aktivitetin e përshëndeti ministri i Bujqësisë, Andis Sallaj, i cili vlerësoi rolin që gjuha arabe ka luajtur si urë lidhëse mes kulturave dhe popujve. Ai theksoi se gjuha arabe ka dhënë një kontribut të çmuar në shtrirjen e dijes dhe qytetërimit botëror, duke qenë gjuha e Kuranit Famëlartë, përmes së cilës janë përcjellë ndër shekuj mesazhe besimi dhe paqeje për miliona besimtarë.
Gjatë aktivitetit u vu në dukje gjithashtu fakti se gjatë dy viteve të fundit janë përkthyer për herë të parë tre romane nga gjuha arabe në gjuhën shqipe.
© BalkanWeb