Krijohet Bordi i Paqes për Gazën! Pjesë e strukturës, Rubio, Blair, Kushner dhe Witkoff
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka shpallur krijimin e një “Bordi të Paqes” për Gazën, si pjesë e planit të tij 20-pikësh për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Në mesin e anëtarëve themelues janë Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe ish-kryeministri britanik Sir Tony Blair.
Në bordin ekzekutiv përfshihen gjithashtu i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, dhëndri i presidentit Jared Kushner, kreu i Bankës Botërore Ajay Banga, investitori Marc Rowan dhe këshilltari i sigurisë kombëtare Robert Gabriel. Vetë Trump do të shërbejë si kryetar i bordit dhe pritet të mbikëqyrë përkohësisht drejtimin dhe rindërtimin e Gazës.
Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se çdo anëtar do të ketë një rol kyç për stabilizimin dhe suksesin afatgjatë të territorit, ndërsa emërime të tjera priten në javët në vijim.
Paralelisht, është krijuar edhe një Komitet Kombëtar Palestinez për Administrimin e Gazës, i cili do të merret me qeverisjen e përditshme pas luftës. Ndërkohë, SHBA planifikon vendosjen e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi për garantimin e sigurisë.
Megjithëse plani amerikan i paqes ka hyrë në fazën e dytë, e ardhmja e Gazës dhe e mbi 2 milionë palestinezëve që jetojnë atje mbetet ende e paqartë.
© BalkanWeb