Kriptomonedhat, mënyrë për tu pasuruar?/ Lahi: Investoni vetëm fondet që mund të humbni. Sefa: Rreziku mbetet i lartë
schedule20:52 – 28 Nëntor, 2025
Kriptomonedhat janë evidentuar vitet e fundit si një mënyrë e mirë për të bërë para, por a është realisht kështu?
Eksperti i tregjeve të kriptomonedhave, Rezart Lahi, tha për Money Report se më të fituarit nga ky treg janë ata që i lënë investimet e tyre për një kohë të gjatë. Lahi shtoi se duhet të investohet vetëm ajo pjesë “që është për t’u humbur”, pra pa cenuar të ardhurat personale.
“Ekziston tendenca për t’u pasuruar shpejt nga rrjetet sociale. Kjo është një tendencë e zakonshme, dhe kripto shihet si pjesë e saj. Më tepër fitojnë ata që investojnë dhe i lënë për vite me radhë, sesa ata që e blejnë sot e shesin nesër dhe nuk i përballon dot buxheti. Një pjesë e fitimeve u shkon atyre që janë afatgjatë. Në çdo lloj mënyre investimi ka rrezik. Njerëzit duhet të investojnë atë që kanë për të humbur, pra pa rrezikuar të ardhurat e tyre,” tha Lahi.
Ndërkohë, eksperti i ekonomisë Ergis Sefa u shpreh se për njerëzit që punojnë dhe krijojnë të ardhura, Bitcoin nuk është burimi kryesor i fitimeve. Sefa shtoi se në vendin tonë vetëm një pakicë mund t’ia dalë të pasurohet nga Bitcoin-i.
“Amplituda është shumë e shpejtë tek kriptovalutat. Mesatarja e të ardhurave në Shqipëri është rreth 930 euro, ndërsa në Tiranë kostoja e jetesës është rreth 1100 euro. Duhet të kesh një pagë dyfish më të lartë që të mund të investosh një pjesë që e konsideron të humbur. Me pak para mund të synosh të fitosh më shumë, por vetëm një në dhjetë persona mund ta arrijë. Për njerëzit që punojnë dhe krijojnë të ardhura, Bitcoin nuk është burimi kryesor i fitimit. Këtu vetëm një pakicë mund t’ia dalë, shumica jo,” theksoi Sefa. / abcnews.al /
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!