Ku po shkojmë si shtet?
“Ah moj Shqipni e mjera Shqipni… në ditë të zeza ngele ti”!
Shpesh e pyes veten: Ku po shkojmë si shtet? Si ka mundësi që pas 45 vitesh errësirë komuniste, ende nuk dimë të njohim dhe të mbrojmë lirinë dhe demokracinë? Na pëlqen të mendojmë se jemi të lirë, por vazhdojmë të lejojmë të njëjtën mendësi të na komandojë, që na mëson të mos pyesim, të mos kritikojmë, të mos mendojmë. Por paskemi mësuar të justifikojmë autokracinë me veglat e demokracisë, por jo ta dallojmë të bardhën nga e zeza.
Në vitin 2025, Shqipëria ka përballë një qeveri që sillet si autoritare, por fshihet pas formave demokratike për të ruajtur pushtetin. Ah moj Shqipni e mjera Shqipni… Sot të “premtojnë një Diellë” për të luftuar korrupsionin, ndërsa të shitet ideja se korrupsioni zgjidhet me qarqe elektronike, por korrupsioni nuk vjen nga makinat, vjen nga njerëzit, dhe vetëm njeriu mund ta luftojë.
Media ndërkombëtare prej vitesh nuk ka heshtur:
• Der Spiegel (Gjermani) shkruan për “korrupsion në të gjitha sektorët dhe në të gjitha nivelet e qeverisjes”, duke e cilësuar Shqipërinë të kapur nga korrupsioni sistemik.
• RSF (Reporters Sans Frontières, France) thekson se “liria e medias në Shqipëri është viktimë e mungesës së pluralizmit dhe transparencës”, duke konstatuar kapjen politike të shumicës së mediave.
• Le Monde në artikullin (France) thote: “Edi Rama, le premier ministre albanais…” shprehet se kryeministri përdor manovra mediatike për të zhvendosur vëmendjen nga reputacioni mafioz i vendit”, duke nënkuptuar lidhje me struktura kriminale.
• OCCRP, me bashkëpunime italiane, ka zbuluar tentativat e ‘Ndranghetës për të pastruar para në Shqipëri, duke përmendur përfshirje të zyrtarëve të lartë pranë Ramës. Sipas tyre, opozita flet për “korrupsion masiv në nivelet më të larta të pushtetit të Edi Ramës”.
Politikisht, kjo qeveri ka krijuar një cikël të rrezikshëm ku përdor institucionet demokratike për të mbajtur pushtetin, ndërkohë që dobëson sistematikisht kontrollin dhe balancat. Administrata është e blerë dhe e përdorur për interesat e pakicës, ndërsa qytetarët janë të paralizuar nga frika e humbjes së vendit të punës apo të represioneve të mundshme. Ky model krijon jo vetëm korrupsion, por edhe një klimë ku inercia dhe paaftësia shtetërore shërbejnë si mekanizma mbajtjeje pushteti.
Ah moj Shqipni…që demokracinë e ke marrë si të mirëqenë ti. Edhe atëherë, nën komunizëm, liderët nuk kontestoheshin, çdo zë i ndryshëm konsiderohej i rrezikshëm, ky lloj mentaliti e ka formësuar mënyrën si shohim pushtetin edhe sot. Mediave tona shpesh nuk u besohen më, ndërsa mediat ndërkombëtare, që dikur i shihnim si referencë, duket se nuk arrijnë të na zgjojnë nga kjo apati. Kaq shumë na ka verbuar rutina, frika dhe varësia edhe nuk di ta them nga “frika apo nga dashuria”?!
Kjo është një qeveri që e quan veten me “bilanc të shkëlqyer”, ndërsa realiteti është ky:
Nga shumë ministra që ka pasur Rama që prej 2013-s, rreth 30% janë investiguar apo kanë pasur procese te hapura me drejtësinë. Skandalet vazhdojnë, hetimet vazhdojnë, turpi vazhdon… Por ajo që më habit është se si, pavarësisht gjithçkaje, kjo qeveri socialistë e korruptuar deri në palcë, me një administratë të kapur, me punonjës të trembur dhe të shantazhuar, vazhdon të mbahet në këmbë. Ndërkohë, vendin tonë e lë mjerim, në shpopullim, në krim, në varfëri morale e institucionale.
Na flasin për Europë dhe integrim, por nuk flasin asnjëherë për boshatisjen e Shqipërisë. Për korrupsionin që po ha çdo institucion. Për krimin që po bëhet normalitet. Dhe ne vazhdojmë të rrimë në një gjumë letargjik, shumë të rrezikshëm.
Analitikisht, kjo situatë tregon disa probleme themelore:
1- Institucione të dobëta.
2- Korrupsion sistematik.
3- Shpopullimi dhe frika sociale.
4- Rrënimi i meritokracisë dhe profesionalizmit.
5- Krizë e thellë e Balancës së Pushteteve.
6- Erozioni i demokracisë funksionale.
A moj Shqipni e mjera Shqipni…
Nëse e duam këtë vend, duhet të zgjohemi. Jo për një parti, por për atë që e quajmë shtëpi. A do e lini dikë të vijë në shtëpinë tuaj, t’ju përzejë dhe t’ju vjedhë, ndërsa ju t’i hapni derën përsëri? A do e lini dikë t’ju prishë themelet e shtëpisë, të familjes, të të ardhmes? Jo. Atëherë mos e lini as Shqipërinë në këtë pikë të mjerë.
Ah moj Shqipni e mjera Shqipni… s’ka faj Partia Demokratike për këto fatkeqësi që po kalon ti. Shqipëria ka nevojë për qytetarë të ndërgjegjshëm, të angazhuar dhe të bashkuar. Ky vend është shtëpia jonë. Le t’i japim ngjyrat që meriton: ngjyrat e demokracisë, lirisë, dinjitetit, dhe atdhedashurisë.
* Anëtare e Departamentit Brain Gain, PD
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb