Kujtesa e hekurit që theu hundën, duhet ta ndalte dorën që “firmosi” tritolin ndaj “Prestige Resort”
Kryeministri Edi Rama rrëfeu së fundmi me shaka dhe autoironi, një episod të dhunshëm nga jeta e tij personale, rrahjen brutale që kishte pësuar në vitet kur ishte pedagog i Akademisë së Arteve, një sulm që i theu hundën dhe që, siç e pranoi vetë, i ka mbetur në kujtesë.
Është njerëzore. Dhuna lë gjurmë. Trupi shërohet, por memoria mbetet. “Ma morën hundën në dorë si skulpturë, me leva hekuri”, – tha Rama, duke e shndërruar dhunën në një anekdotë publike, por edhe në një kujtesë personale, që ai e risjell herë pas here në diskursin e tij.
Askush nuk ka arsye të dyshojë se dhuna fizike është traumë që nuk harrohet kurrë. Dhe pikërisht kjo e bën edhe më tronditës kontrastin. Si është e mundur që një njeri që e njeh kaq mirë dhimbjen e dhunës, që e përmend shpesh si plagë personale dhe historike, të jetë po ai që “bekoi” një nga aktet më brutale të dhunës shtetërore ndaj pronës private në vitet e fundit, shembjen me tritol të “Prestige Resort”?!
Kur Rama flet për hundën e thyer, flet për padrejtësi. Kur flet për ‘97-ën, flet për kaos, për dhunë që nuk duhet të përsëritet kurrë. Por kur pushteti i tij vendos tritol mbi një hotel, mbi një pronë ku pushonin familje, ku flinin fëmijë, ku ndodheshin kujtime, lodra, rroba, dokumente, atëherë dhuna relativizohet, justifikohet, normalizohet.
“Prestige Resort” nuk ishte një kasolle e fshehur në errësirë. Ishte një strukturë që shteti e njihte, e vizitonte, e përdorte dhe e promovonte. Ministrat e Turizmit e shisnin si histori suksesi. Institucionet mblidhnin taksa. Evente shtetërore organizoheshin aty. Dhe papritur, në dhjetor 2022, pa paralajmërim real, pa proces të matur, pa respekt minimal për pasojat njerëzore, shteti zgjodhi tritolin.
Ky veprim u krye pa paralajmërim, pa çuar asnjë shkresë, duke injoruar çdo ligj e procedurë. Sulmi i mirëmenduar ndodhi në nisje të fundjavës, në mënyrë që të pamundësohej ankimimi në gjykatë për shkak të ditëve të pushimit. Nuk iu la kohë asnjë procesi normal gjyqësor, duke dekonspiruar kështu një sulm të mirorganizuar.
Në fakt, tritoli ishte vetëm episodi i fundit i një aksioni të dhunshëm që nisi në kulm të sezonit turistik, që u zhvillua me fadroma mbi pishinat e resortit dhe turistë të skandalizuar, të cilët lanë peshqirët dhe nga sytëkëmbët u arratisën nga Shqipëria të lemerisur. Ky nuk ishte thjesht një akt administrativ. Ishte një akt force.
Një mesazh: shteti nuk dialogon, shteti godet. I gjithë opinion publik u trondit dhe vijon të jetë i tronditur për hedhjen në erë të “Prestige Resort”, që qeveria dikur e cilësonte si perla e turizmit shqiptar. Dhe jo vetëm kaq. “Prestige Resort” mirëpriti të dëmtuarit nga tërmeti i vitit 2019 dhe hapi dyert për afganët, të cilët iu arratisën hakmarrjes së talebanëve. Dhe për hir edhe të mikpritjes së “Prestige Resort” për refugjatët afganë, Kryeministri Edi Rama mori çmimin “Inovator i Nderuar” nga ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton. Por, a ndalet ndonjëherë kryeministri ta mendojë skenën e dhunës ndaj “Prestige Resort” nga këndvështrimi i atyre që e përjetuan? Si u ndjenë njerëzit që panë pronën e tyre të hidhej në erë? Çfarë memorieje po u krijohet fëmijëve, njësoj si memoria e hekurit që Rama mban mend nga hunda e thyer? Kur Rama u godit, nëna e tij u tremb, familja e tij u lëndua. Ai e di shumë mirë se dhuna nuk është vetëm fizike, por edhe psikologjike. Dhe pikërisht për këtë arsye, akti i tritolit merr një peshë edhe më të rëndë, nuk ishte një gabim nga padija, por një vendim i marrë nga dikush që e di çfarë do të thotë dhimbje. Këtu qëndron thelbi i akuzës politike, standard i dyfishtë moral.
KRYEMINISTRI RAMA NE “PRESTIGE” RESORT KU U STREHUAN QINDRA AFGANE
Dhuna, kur ushtrohet ndaj kryeministrit, është plagë. Kur ushtrohet nga kryeministri, quhet rend, ligj, shtet. A e imagjinon kryeministri çdo të ndodhte nëse gjatë vizitave të tij jashtë vendit, ai do të gdhihej në një hotel ku do ta detyronin të linte dhomën sa më shpejt, me arsyen se hoteli ishte minuar nga shteti? Shteti i së drejtës nuk matet me sasinë e tritolit që ka, por me vetëpërmbajtjen që tregon. Dhe kur pushteti shndërrohet në forcë brutale, ai pushon së qeni autoritet moral. Rama e përmend shpesh dhunën e së shkuarës kur i duhet të ndërtojë narrativën e viktimës politike, por memoria nuk duhet përdorur si armë retorike. Duhet përdorur si busull morale. Kujtesa e hekurit që theu hundën duhej ta kishte ndaluar dorën që “firmosi” tritolin. Hunda e kryeministrit është shëruar.
Plaga e saj jeton vetëm në kujtesë. Por për ata që panë pronën të shkatërrohej nga shteti, plaga është ende e hapur. Memoria e saj do të zgjasë shumë më tepër se një shaka në podcast. Diferenca mes dhunës kriminale dhe dhunës shtetërore është se e dyta kryhet në emër të ligjit. Dhe pikërisht për këtë arsye është më e rëndë, më e rrezikshme dhe më e pafalshme. Hunda e kryeministrit është shëruar prej kohësh. Por tritoli la një kujtesë tjetër, më të rëndë, më kolektive. Dhe ajo nuk fshihet as me batuta, as me pushtet. Pyetja që mbetet nuk është emocionale, por politike. A është dhuna e gabuar vetëm kur godet kryeministrin, apo edhe kur buron prej tij?!
“Prestige Resort” u hodh në erë me 70 kg eksploziv! Leja, e firmosur nga Rama
Më datën 4 dhjetor të vitit 2022, IKMT hodhi në erë “Prestige Resort”, një godinë 7-katëshe, që për shumë vite u kthye në imazhin e bregdetit të Adriatikut, duke pritur turistë të shumtë nga jashtë vendit, por edhe pushues nga trevat shqiptare. Para se shembej godina e këtij resorti, IKMT ndërmori një tjetër aksion në korrik të po atij viti, aksion i cili nisi vetëm me prishjen e pishinës së resortit.
Resorti ishte me leje ndërtimi të leshura nga KKT në datën 7.03.2016, por aksioni i IKMT u ndërmor në mënyrë të paligjshme, pasi dokumentet për ndërtimin e këtij resorti ishin konform ligjeve dhe madje, leja është firmosur nga Kryeministri Edi Rama në cilësinë e kryetarit të KKT. Ishte drejtoresha e IKMT, Dallëndyshe Bici, e cila iu dha ultimatum vartësve dhe hodhi firmën për shpërthimin me eksploziv të godinës së “Prestige Resort” në Golem, duke e çuar deri në fund hakmarrjen e Ramës dhe sulmin ndaj raportimit të realitetit në Shqipëri dhe linjës editoriale të mediave në pronësi të presidentit të “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu.
Bici, si e tillë nuk pyeti as për shtet ligjor dhe as për vendime gjykatash, por vendosi 70 kg eksploziv, të cilat hodhën në erë godinën më pak se 24 orë nga afati i njoftuar nga Gjykata Administrative për shqyrtimin e ankimimit në lidhje me ligjshmërinë e ndërtimit të godinës. Çdo mekanizëm i strukturës së drejtuar nga Bici u vu në lëvizje që shembja e godinës të finalizohej para ditës së hënë.
/Gazeta Panorama
© BalkanWeb