Kupa e Italisë: Atalanta leksione Juventusit, bardhezinjtë e mbyllin këtu. Pak minuta për Zhegrovën (video)
5 Shkurt 2026
22:55
Telesport
U zhvillua sonte çerekfinalja e radhës për Kupën e Italisë për sezonin 2025/2026. Në Bergamo, Atalanta fitoi 3-0 ndaj Juventusit. Sfida u zhbllokua në minutën e 27-të, falë penalltisë së shndërruar në gol nga Gianluca Scamacca, pas prekjes së topit me dorë brenda zonës nga Bremer. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Atalantën.
Goli i sigurisë për Atalantën erdhi në minutën e 77-të, me të sapofuturin në fushë Kamaldeen Sulemana. Ghanezi shënoi pas një aksioni të shpejtë dhe asistit të Raoul Bellanova.
Në minutën e 85-të ishte Mario Pasalic që shënoi golin e tretë, kroati kishte vetëm dy minuta në fushë si zëvendësues i Charles De Ketelaere. Pasalic shënoi pas një topi të humbur nga bardhezinjtë, me një goditje me të majtën e dërgoi topin në rrjetë. Në minutat e fundit, u aktivizua edhe Edon Zhegrova te Juventus, por ishte e kotë. rezultati final, 3-0 për Atalantën.
Në gjysmëfinale, Atalanta do të përballet me fituesin e çiftit, Bologna-Lazio. Ndërsa gjysmëfinalja tjetër do të jetë mes Interit dhe fituesit të çiftit Como-Napoli.