“Kur Guardiola të largohet nga Manchester City, do ta thërrasin direkt shpëtimtarin Pintus”
16 Janar 2026
13:17
Alfred Lleshi
Te Real Madridi është e vështirë të përtypen humbja e Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës dhe eliminimi turpërues nga Kupa e Mbretit prej Albacete të Kategorisë së Dytë. Kjo situatë u shoqërua me shkarkimin e Xabi Alonsos dhe promovimin e Álvaro Arbeloa nga “Castilla” në ekipin e parë, por deri tani, në pritje të ndeshjes me Levanten në “Santiago Bernabéu”, asgjë nuk ka ndryshuar.
Po kërkohen shkaqe dhe fajtorë; balanca e skuadrës, mungesat në mbrojtje, qëndrimi i lojtarëve dhe përgatitja fizike. Xabi Alonso solli stafin e tij dhe refuzoi rikthimin e Antonio Pintus, i cili pas largimit të trajnerit bask ka rifituar rol nën drejtimin e Arbeloa.
Megjithatë, gazetari Manu Carreño ironizoi në “El Larguero”: “Kur Guardiola të largohet nga Manchester City, do ta thërrasin direkt Pintus. Seriozisht, shoh një pritshmëri sikur do të përdorë shkopin magjik. I njëjti që e dërguan në shtëpi dy sezone më parë”.