“Kushtetuesja dhe Kuvendi, koordinim për shtyrjen e vendimit”, Logu: Po prishen provat! Zvarritja e çështjes ‘Balluku’ i shërben Ramës dhe zëvendëses së tij!
Marash Logu, përfaqësues ligjor i Partisë Demokratike, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi i Shqipërisë po zvarrit çështjen “Balluku”. I ftuar në programin e drekës në News24, Logu tha se në rastin e Veliajt, Gjykata Kushtetuese u shpreh shumë shpejt me një vendim, ndërsa deklaroi se thuajse është e njëjta çështje.
Sipas Logut, çështja aktuale nuk është e komplikuar dhe zvarritja nga Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi krijon dyshime për një koordinim të qëllimshëm për shtyrjen e saj. “Dihet se kujt i shërben kjo zvarritje, Ramës dhe Ballukut,” u shpreh ai.
Logu theksoi se kjo qasje e Gjykatës Kushtetuese ngre pikëpyetje serioze mbi garancinë dhe pavarësinë e saj. Ai sqaroi se trupa e gjykatës mbyllet në dhomë këshillimi, ku secili anëtar shpreh qëndrimin dhe më pas votohet, duke qenë i detyruar të japë një votë pro ose kundër. Sipas përfaqësuesit ligjor të PD-së, Gjykata Kushtetuese duhet të shqyrtojë nëse ka pasur shkelje kompetencash nga ana e GJKKO-së. Ai shtoi se, me kërkesë të Prokurorisë, gjykata mund të vendosë për pezullimin e një anëtari të qeverisë, praktikë kjo e konfirmuar edhe nga Komisioni i Venecias.
Logu deklaroi se çështja e Ballukut është tejkaluar dhe se nuk ka më kushte për masën “pezullim nga detyra”, por duhet të caktohet masa “arrest me burg” ose “arrest shtëpie”. Ai tha se nga hetimet e SPAK ka rezultuar se Balluku ka ndërhyrë në mënyrë të përsëritur në 11 raste dhe ka tentuar të prishë provat.
“Përveç vullnetit politik të Ramës për t’u shndërruar në zyrë avokatie për Ballukun, nuk ka asnjë arsye ligjore apo kushtetuese për të shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve,” u shpreh Logu. Ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka lidhje me kompetencat e Kuvendit, pasi SPAK i është drejtuar Kuvendit për heqjen e lirisë dhe autorizimin e arrestimit me burg ose arrest shtëpie. Sipas tij, zvarritja po i jep kohë Ballukut për të prishur prova dhe për të intimiduar dëshmitarët.
Logu shtoi se Balluku ka nënshkruar personalisht 50 akte, përfshirë edhe gjatë fazës kur po hetohet nga SPAK. Ai theksoi se në asnjë rast Kuvendi nuk parashikohet të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të marrë vendim mbi imunitetin.
Sipas tij, afati maksimal në precedentët e mëparshëm për shqyrtimin e mandatit ka qenë 24–48 orë, ndërsa aktualisht ky afat është tejkaluar, madje edhe përtej afatit të kërkuar nga vetë avokatët e Ballukut. Logu akuzoi Këshillin se po vepron në shkelje të rregullores së Kuvendit. Ai shtoi se, kur gjysma e anëtarëve të Këshillit kërkon mbledhjen, Kuvendi është i detyruar ligjërisht ta zhvillojë atë, duke theksuar se anëtarët e PD-së kanë depozituar pesë kërkesa të tilla. Sipas Logut, SPAK disponon prova dhe fakte që tregojnë se Balluku ka tentuar të fshehë prova dhe të intimidojë dëshmitarë.
“Uroj që të ketë një vendimmarrje të shpejtë. Në rastin e Veliajt u dha vendimi në kohë të shpejtë. Nuk besoj se është një çështje kaq e komplikuar, ndaj zvarritja e Gjykatës Kushtetuese dhe e Kuvendit duket se ka koordinim për të shtyrë këtë çështje. Dihet se kujt i shërben kjo shtyrje, Ramës dhe Ballukut. “Vlerësoj se kjo qasje e Gjykatës Kushtetuese ngre pikëpyetje për garancinë dhe pavarësinë e saj, për të marrë një vendim për një çështje që shtyhet vazhdimisht. Trupa mbyllet në një dhomë këshillimi, secili prej anëtarëve shpreh vendimin dhe më pas kalohet në votim. Është i detyruar të ketë një votë, pro ose kundër. Nëse votat ndahen barazim, kjo çështje rrëzohet. Trupat e Gjykatës Kushtetuese duhet të shqyrtojnë nëse ka shkelje të kompetencave nga ana e GJKKO-së. Gjykata, me kërkesë të Prokurorisë, mund të vendosë për pezullimin e një anëtari të qeverisë, gjë që e ka dhënë edhe Komisioni i Venecias. Çështja e Ballukut është e tejkaluar. Vlerësohet se nuk janë më kushtet për ta lënë atë me masën “pezullim nga detyra”, por duhet të caktohet masa “arrest me burg” ose “arrest shtëpie”. Gjatë hetimit ka rezultuar nga SPAK se Balluku ka kryer në mënyrë të përsëritur ndërhyrje në 11 raste dhe ka tentuar të prishë provat. Përveç vullnetit politik të Ramës për t’u shndërruar në zyrë avokatie për Ballukun, nuk ka asnjë lidhje nga pikëpamja ligjore dhe kushtetuese për të shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Cilido qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk ka lidhje me Kuvendin, pasi nuk ndikohet e njëjta masë.
SPAK i është drejtuar Kuvendit për heqjen e lirisë dhe autorizimin për arrestim me burg apo në shtëpi. Ndaj po mbahet kjo çështje me zvarritje, për t’i dhënë kohë Ballukut të prishë prova dhe të intimidojë dëshmitarët. Ajo nga 50 akte i ka nënshkruar vetë, edhe në këtë fazë kur po hetohet nga SPAK. Nuk parashikohet në asnjë rast që Kuvendi të presë për të marrë vendim për çështjen e imunitetit. Afati maksimal në precedentët e mëparshëm për shqyrtimin e mandatit ka qenë 24–48 orë. Sot jemi përtej afatit që kërkuan edhe vetë avokatët e zonjës Balluku. Këshilli po vepron në shkelje të rregullores së Kuvendit. Kur e kërkon gjysma e anëtarëve të Këshillit, ku anëtarët e PD kanë depozituar pesë kërkesa, atëherë Kuvendi e ka të detyruar me ligj të mbledhë Këshillin. SPAK ka prova dhe fakte që tregojnë se Balluku ka tentuar të heqë provat dhe të intimidojë dëshmitarët.”, tha Logu.
© BalkanWeb