“Lautaro, një nga sulmuesit më të mirë në botë. Nico Paz, e ardhmja është e tij”
6 Dhjetor 2025
9:52
Alfred Lleshi
Juan Sebastián Verón, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, komentoi ndeshjen Inter-Como dhe duelin mes Lautaro Martínez e Nico Paz. Për kapitenin zikaltër tha: “Lautaro shënon në çdo mënyrë, luan për skuadrën dhe në zonë është vdekjeprurës. Ta markosh është shumë e vështirë. Tani ka edhe staturën e liderit, është një nga sulmuesit më të mirë në botë, bashkë me Haaland, Mbappé, Vinicius dhe Lamine Yamal”.
Për Nico Paz u shpreh: “Është gjithmonë në vendin e duhur, në momentin e duhur. Kjo do të thotë se di ta lexojë aksionin dhe e ka futbollin në gjak. Në moshën 21-vjeçare nuk është e lehtë të jesh kaq i gatshëm. E ardhmja është e tij, por edhe tani është një lojtar që imponohet. Pa e ekzagjeruar, jemi përballë një talenti që mund të bëhet fuoriklas”.
Verón përjashtoi krahasimet personale: “Nuk më pëlqejnë krahasimet, sidomos mes epokave të ndryshme. Unë isha më shumë mesfushor, ai më shumë sulmues. Ka diferencë”.