Legjenda e motorëve, Valentino Rosi: Solla rini në Moto GP, ja shpikja që më kopjuan edhe në Formula 1
Valentino Rosi, në një intervistë për edicionin italian të revistës “Rolling Stone” rikujton ndikimin e tij në botën e motoçiklizmit, evoluimin e “paddock”-ut dhe disa anekdota që kanë shënjuar karrierën e tij në Moto GP. Në moshën 45-vjeçare, nëntë herë kampioni i botës vazhdon të ruajë kthjelltësinë dhe aftësinë për të analizuar sportin që përcaktoi një epokë.
Piloti nga Tavullia pranon se një nga kontributet e tij më të mëdha ka qenë “ndryshimi i atmosferës” në Kampionatin Botëror dhe sjellja e një energjie të re. “Unë solla pak më shumë rini në garat me motorë, isha piloti i parë modern në kuptimin që në moshën 20- vjeçare garoja tashmë në kategorinë 500 cc”, shprehet ai. Për numrin 46, ardhja e tij solli një shkëputje nga një kampionat që funksiononte ende me kode shumë ndryshe nga ato të sotmet. Rosi kujton se, para se të mbërrinte ai, “paddock”-u kishte një atmosferë më spontane dhe kaotike. “Motori ka qenë gjithmonë një punë të çmendurish, por atëherë kishte më shumë njerëz të rritur.
Pilotët vazhdojnë të jenë një tufë e mirë të çmendurish, megjithëse tani gjithçka është bërë shumë më profesionale dhe në orën nëntë e gjysmë të darkës në ‘paddock’ nuk sheh njeri. Të paktën më parë gjithmonë gjeje dikë që po pinte një birrë”, tregon italiani.
Një krahasim që tregon qartë se sa fort e ka transformuar profesionalizmi atmosferën e fundjavave të Çmimeve të Mëdha. Valentino flet edhe për një nga tiparet më ikonike të karrierës së tij: kokoret speciale. Ai pranon se ka qenë pionier i një tendence që sot është përhapur deri edhe në Formula 1. “Është diçka që mund të them se pothuajse e shpika vetë dhe që tani e bëjnë të gjithë, madje edhe në F1. I kushtonim shumë kohë dhe kishim plot rregulla supersticioze”, tregon Valentino.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb