Leverkusen afrohet me Champions-in, Hoffenheim nuk di të ndalet dhe merr fitoren e pestë rresht. Leipzig befasohet në shtëpi
31 Janar 2026
17:26
Telesport
Kanë përfunduar disa nga ndeshjet e javës së 20-të në Bundesligë. Hoffenheim, ku luajnë titullarë, edhe tre yjet e Kosovës, Albian Hajdari, Leon Avdullahu dhe Fisnik Asllani, ka marrë fitoren e pestë rresht duke fituar 3-1 ndaj Union Berlin. Dy gola nga kroati Andrej Kramaric, një nga pika e bardhë e penalltisë i dhanë avantazhin 2-0 në pjesën e parë vendasve.
Në pjesën e dytë, miqtë shënuan një autogol në portën e tyre dhe një gol në portën kundërshtare, duke regjistruar shifrat përfundimtare 3-1. Hoffenheim renditet në vendin e tretë me 42 pikë.
Leverkusen ka marrë një fitore shumë të rëndësishme 1-3 në transfertën ndaj Eintracht Frankfurt. Për “Aspirinat” shënuan Arthur dhe Malik Tillman në pjesën e parë, për vendasit ngushtoi shifrat Robin Koch në pjesën e dytë. Aleix Garcia vuloi fitoren 1-3 për Leverkusen me golin e tij më minutat shtesë.
Pas kësaj fitoreje, Leverkusen renditet në vendin e gjashtë me 35 pikë, një pikë më pak se vendi i katërt që mbahet nga Leipzig, vend që të dërgon në Champions League. Leipzig bëri një hap fals, duke u mundur në shtëpi 1-2 nga Mainz.
Në orën 18:30, Bayern Munich luan në transfertën ndaj Hamburg.