LIVE | PD protestë kombëtare para Kryeministrisë, opozita kërkon dorëheqjen e Ramës dhe Ballukut
Partia Demokratike zhvillon këtë të shtunë një protestë kombëtare para Kryeministrisë, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Kjo e fundit u pezullua nga ushtrimi i funksioneve me vendim të GJKKO, por Gjykata Kushtetuese e riktheu përkohësisht në detyrë, deri në gjykimin në themel të ankimit të bërë nga kryeministri Edi Rama.
Protesta u thirr nga opozita si reagim ndaj skandaleve të Ballukut, pasi u mor e pandehur nga SPAK për korrupsion dhe abuzim me tenderat. Gjithashtu, SPAK kërkoi heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e Ballukut, por socialistët e shtyn vendimmarrjen e Këshillit të Mandateve për në datën 28 Janar.
Opozita ka paralajmëruar se protestat para Kryeministrisë do të jenë të qëndrueshme dhe vazhdim i një serie aksionesh politike, deri në largimin e Qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.
Nga ana tjetër, policia ka marrë masa të rrepta duke zbritur në terren 1350 efektivë për mbarëvajtjen e tubimit.
© BalkanWeb