“Lojtarët u impenjuan më shumë”, Hicka: Askush nuk e besonte 8 muaj më parë se do të ishim në play-off të Botërorit
Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Envi Hicka, ka komentuar në emisionin “Log.” në News24 arritjen historike të Kombëtares shqiptare, e cila siguroi vendin e dytë në grupin kualifikues dhe të drejtën për të luajtur play-off për në Botërorin 2026.
“Nëse 8 muaj më parë do të thoshim se në fund të kësaj fushate do të ishim në vend të dytë dhe në play-off, shumë njerëz do të thoshin se ishte e pamundur,” tha Hicka. “Unë personalisht nuk e kam menduar kurrë të pamundur, sepse Serbia kishte probleme të mëdha psikologjike dhe sportive. Nuk ishte një mision i pamundur. Ekipi ynë e ka bërë detyrën dhe ka arritur diçka vërtet të madhe, por ka ende punë përpara.”
Duke folur për trajnerin Sylvinho, Hicka e përshkroi si një figurë që ka kaluar nëpër faza të ndryshme vlerësimi nga publiku shqiptar:
“Sylvinho ka pasur disa cikle. Fillimisht periudha e mrekullisë në Euro 2024, pastaj kritikat pas tre ndeshjeve të vështira në fazën finale ku ndoshta mund të kishim marrë më shumë, më pas vështirësitë në Nations League dhe tani ribërja hero te kualifikueset e Botërorit. Në ndeshjet e fundit të Nations League lojtarët çeduan diku, e nënvlerësuan kompeticionin dhe nuk morëm maksimumin. Në kualifikueset e Botërorit u impenjuan maksimalisht. Sylvinho vetë nuk ka ndryshuar shumë, ka qenë i njëjti trajner, por angazhimi dhe përqendrimi i lojtarëve ka qenë ndryshe.”
Hicka theksoi se kualifikimi në play-off është një arritje e jashtëzakonshme për futbollin shqiptar dhe se tani fokusi duhet të jetë te përgatitja për ndeshjet vendimtare të marsit, ku Shqipëria do të kërkojë biletën historike për në Kampionatin Botëror.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb