Lufta në Ukrainë, bisedimet mes Kievit dhe SHBA-së për planin e paqes do të zhvillohen në Zvicër
Sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës njoftoi të shtunën se Ukraina do të fillojë bisedimet me SHBA-në në Zvicër në ditët në vijim mbi planin e propozuar të paqes me 28 pika dhe kushtet e tij.
Ukraina do të fillojë bisedimet me SHBA-në mbi planin e paqes me 28 pika të sugjeruar bashkërisht nga Rusia dhe SHBA-ja në ditët në vijim, në Zvicër, sipas zyrtarëve ukrainas.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të shtunën se kishte emëruar një delegacion për të diskutuar me Uashingtonin planin për të ndaluar luftën e Rusisë në Ukrainë.
Në një video, Zelenskyy tha: “Kam nënshkruar një dekret për përbërjen e delegacionit ukrainas dhe kam miratuar të gjitha direktivat përkatëse.” Duke shtuar: “Përfaqësuesit tanë dinë si t’i mbrojnë interesat kombëtare të Ukrainës dhe saktësisht çfarë nevojitet për të parandaluar Rusinë të kryejë një pushtim të tretë, një tjetër sulm kundër Ukrainës.”
Sipas Rustem Umerov, Sekretarit të Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, Ukraina po hyn në fazën e fundit të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara me një “kuptim të qartë” të interesave të saj kombëtare, tha Umerov.
Në një postim në rrjetet sociale në Facebook, Umerov shkroi: “Këto ditë në Zvicër, ne fillojmë konsultimet midis zyrtarëve të lartë të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara mbi parametrat e mundshëm të marrëveshjes së ardhshme të paqes.”
Të shtunën, Zelenskyy së bashku me gruan e tij morën pjesë në një ceremoni në Kiev për të përkujtuar “urinë e madhe” që udhëheqësi sovjetik Josef Stalin i imponoi Ukrainës në fillim të viteve 1930, e cila çoi në miliona vdekje. Në një mesazh në Telegram duke shënuar Ditën Përkujtimore të Holodomorit, Zelenskyy përdori një ton sfidues: “Ne të gjithë e dimë se si dhe pse miliona njerëz tanë vdiqën, vdiqën nga uria dhe miliona nuk lindën kurrë. Dhe ne po mbrohemi përsëri kundër Rusisë, e cila nuk ka ndryshuar dhe po sjell përsëri vdekjen”.
Sulme gjatë natës
Rusia lëshoi 104 dronë në sulmet e natës ndaj Ukrainës nga e premtja deri të shtunën, si dhe një raketë balistike të lëshuar nga territori i pushtuar përkohësisht i Krimesë.
Sipas Forcave të Armatosura të Ukrainës, 89 nga dronët u rrëzuan ose u bllokuan; megjithatë, gjashtë vende u goditën nga dronë dhe një nga raketa.
Një nga zonat e prekura ishte rajoni i Odesës, i cili kufizohet me Rumaninë, ku të paktën dy persona u plagosën, sipas zyrtarëve ukrainas.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb