Luis Enrique: E meritonim fitoren ndaj Athletic, mendoj se lamë dy pikë të rëndësishme
11 Dhjetor 2025
12:26
Telesport
Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka mbetur i zhgënjyer nga barazimi pa gola në “Estadio de San Mamés” ndaj Athletic Bilbao. Skuadra pariziene mbetet në vendin e tretë në renditjen e Champions League.
“Ishte sfidë shumë e veçantë, një ndeshje e ndryshme me këtë atmosferë kundër një skuadre nga vazoja 4. Kjo do të thotë që kjo ndeshje duhet të kishte qenë e lehtë, por mund ta shohim se në shortin tonë, nuk ka skuadra të lehta”, tha Luis Enrique.
“Mendoj se e filluam mirë ndeshjen, nuk pati dobësi nga ana jonë. Por, në pjesën e dytë, ishim edhe shumë më mirë. Ata ishin pak më të lodhur dhe ne mund ta kishim fituar ndeshjen. Më vjen keq që lamë dy pikë”, tha trajneri spanjoll.
“Është për të ardhur keq sepse renditja është shumë e ngushtë dhe do të na duhet të mbledhim shumë pikë për të qenë në tetë vendet e para. Ky është qëllimi ynë, por do të na duhet të fitojmë të paktën ndeshjen tjetër ose ndeshjen e fundit”, tha Enrique.
Në fund, trajneri i PSG komentoi: “Do të jetë e vështirë deri në fund, gjë që është për të ardhur keq sepse ata luajtën mirë, bënë presion, por mendoj se e meritonim fitoren.“