Manchester United-Amorim, “divorc” pas 14 muajsh. Shkarkohet portugezi, Fletcher në pankinë
5 Janar 2026
11:22
Alfred Lleshi
Lajm surprizë nga Anglia. Ruben Amorim nuk është më trajner i Manchester United, vetëm 14 muaj pas ardhjes nga Sporting CP. Shkarkimi vjen pas deklaratave të forta të portugezit kundër menaxhimit të merkatos dimërore nga drejtuesit.
Amorim kishte shprehur frustrimin: “Erdha për të qenë menaxheri i Manchester United, jo vetëm trajneri. Do të bëj punën time derisa bordi të vendosë ndryshe”. Fjalët u perceptuan si sfidë ndaj autoritetit të klubit, duke tensionuar marrëdhënien me drejtorin sportiv Jason Wilcox.
Megjithë pritshmëritë dhe reputacionin e tij në Portugali, Amorim nuk arriti të imponojë modulin 3-4-3 dhe skuadra humbi shumë terren në Premier League, me vetëm 24 fitore në 63 ndeshje. Transferimet e verës, si Mbeumo dhe Cunha, nuk e ndryshuan kursin. Klubi vendosi të ndërhyjë shpejt, duke ia besuar përkohësisht pankinën Darren Fletcher-it.
Ja deklarata e klubit: “Ruben Amorim nuk është më trajner i Manchester United. Ruben ishte emëruar në nëntor 2024 dhe udhëhoqi skuadrën deri në finalen e ‘Europa League’ në Bilbao, e luajtur në maj. Me Manchester United aktualisht në vendin e gjashtë në Premier League, drejtuesit e klubit vendosën, megjithëse me keqardhje, se ishte momenti i duhur për të sjellë ndryshim, duke i ofruar kështu skuadrës mundësinë më të mirë për të arritur pozicionin më të lartë të mundshëm në kampionat.
Klubi e falenderon Ruben për kontributin e dhënë dhe i uron më të mirat për të ardhmen. Darren Fletcher do ta drejtojë skuadrën në ndeshjen kundër Burnley të mërkurën”.